Gjetja e kandidatit për Tiranën/ Berisha tregon tre demokratët që po negociojnë me partitë e tjera

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se ende nuk kanë një emër konkret për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës.

Megjithatë, Berisha u shpreh se përgatitjet për këtë proces kanë nisur.

Gjatë daljes për mediat, kryedemokrati tregoi tre emrat e PD, të cilët sipas tij janë ngarkuar me detyrën për të negociuar me partitë e tjera opozitare.

‘Belind Këlliçi, Flamur Noka, Ilir Alimehmeti do të jenë përfaqësuesit tanë, do të negociojnë me partitë e tjera. A më shkon mua që nga njëra anë ti ngarkoj e tu them partive opozitare qe do negocioj e të them emra, Sot do të mblidhen, punën e kanë filluar që dje. Këta 3 persona janë të ngarkuar të negociojnë me të gjitha partitë opozitare. Ata do takohen me kandidatët me partitë, duhet të bien dakord për emra, pastaj vjen radha e kandidatëve. Nuk do prononcohem, sepse ky është një proces, në të kundërt do të thosha ky është i preferuar. Janë disa emra, jo 1, por për disa bashki, tha Berisha.

Partia Socialiste e ka shpallur emrin e kandidates dhe ajo është Ogerta Manastirliu. Këtë javë, kryeministri Edi Rama mblodhi ministrat dhe deputetët e Tiranës dhe u kërkoi të angazhohen për procesin e zgjedhjeve në Tiranë, në momentin që ato do dekretohen nga kreu i shtetit.

Madje, kryesocialisti shkoi më tej kur ftoi patronazhistët të bëhen gati dhe të hidhen në sulm për “hakmarrje” kundër asaj që ai e cilësoi si “përqeshje të opozitës”.

“Patronazhistët mezi po presin që të hakmerren ndaj përqeshjeve të radhës me një reagim të duhur të radhës që do pasqyrohet në rezultatin e ditës së zgjedhje për Bashkinë e Tiranës kur ato të mbahen sipas procedurave, po flas për Tiranën”, shprehej me mburrje Edi Rama.