Media Ditari

Koha e gjatë e qëndrimit në pushtet mund të të bëjë edhe të gabosh në zgjedhjen e njerëzve të besuar, por kur gabimet fillojnë sapo merr pushtetin, atëherë një pjesë të madhe të përgjegjësisë e ke edhe ti.

Qeveritë e kryeministrit Rama dhe skandalet kanë ecur gjithmonë krah njëra tjetrës, pasi shumë kryebashkiakë, deputetë apo ministra janë akuzuar për vepra të ndryshme penale gjatë këtyre 10 viteve që PS qëndron në pushtet. Tenderat dhe PPP-të ishin dhe mbeten “pjatat e preferuara” të zyrtarëve socialistë, që i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit qindra milionë euro, në mos miliarda.

Por pavarësisht përpjekjes së socialistëve dhe vetë Ramës për t’i mbrojtur këta zyrtarë, disa prej tyre nuk kanë mundur t’i shmangen përballjes me drejtësinë. I pari që u akuzua me bujë të madhe ishte ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, mbi të cilin ranë akuza për “Grup të Strukturuar Kriminal” dhe “Favorizim në trafikun e lëndëve narkotike”, por nuk u dënua për asnjë nga këto. Pavarësisht se ishte ndër të parët zyrtarë të akuzuar, fatin për t’u njohur me qelinë e burgut e pati një tjetër socialist: Fatos Tushe.

Ish-kryebashkiaku i Lushnjes i arrestuar në 6 Korrik 2021 u akuzua për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” për një tender në vlerën 240 milionë lekë të vjetra, një shifër qesharake nëse do e krahasojmë me ato që kanë vjedhur ministrat që janë ende në detyrë.

I dyti në listë është Lefter Koka, ish-ministri i LSI-së që para zgjedhjeve të vitit 2021 iu bashkua PS-së. I burgosur në 14 Dhjetor 2021, ai akuzohet për veprat penale “shpërdorimi i detyrës, “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, akuza këto që e lidhin me megaskandalin e inceneratorëve. Për Kokën, SPAK ka kërkuar 10 vite burg.

Saimir Tahiri është emri më i bujshëm i arrestuar dhe i burgosur nga ministrat e Ramës. Në 4 Shkurt 2022 Gjykata e Posacme mori vendimin që të burgoste ish-ministrin me 3 vite e 8 muaj burg për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, ndërkohë që pushoi akuzat e tjera të sipërpërmenduar, që do e rëndonin situatën e tij. Pavarësisht kësaj, ai u lirua disa ditë më parë dhe tashmë është në arrest shtëpie.

Alqi Bllako ishte një emër i panjohur derisa kandidoi për dpeutet nën siglën e Partisë Socialiste. Por e shkuara si zyrtar i lartë në Ministrinë e Mjedisit të drejtuar nga Lefter Koka e ndoqi “këmba-këmbës”. Firma e tij në aferën e inceneratorëve bëri që ish-deputeti të burgosej në 31 Mars 2022, teksa për të Prokuroria kërkon 4 vite burg.

Lefter Allën qytetarët shqiptarë e njohën më mirë kur i doli video duke konsumuar kokainë në një lokal, por mesa duket, as lënda narkotike nuk e ka kthjelluar ish-kryebashkiakun e Bulqizës. Në 16 Mars të këtij viti ai u arrestua me akuzën për abuzimin me një tender prej rreth 3 milion euro, që ia kishte dhënë një të afërmi të tij.

I fundit por jo më pak i rëndësishmi është Vangjush Dako. Ish-krybashkiaku i Durrësit i njohur si një nga personat më të pushtetshëm të socialistëve në Durrës, u arrestua në 6 Qershor 2023 me akuzën e “shperdorimt të detyrës”, pasi kishte dhënë leje ndërtimi për një plat të dëmtuar nga tërmeti. Dako njihet edhe si një nga miqtë më të afërt të kryeministrit Rama, me këtë të fundit që e ka shprehur edhe publikisht afrimitetin që ka me ish-kryebashkiakun.

Zyrtarët e sipërpërendur janë vetëm një pjesë e të besuarve të Ramës që janë njohur me qeltë e burgut, pasi më herët në qeli kanë rënë edhe Arben Ndoka i akuzuar për tjetërsim pronash. Armando Prenga, i përfshirë në një konflikt me familjen Cali në vitin 2015, i akuzuar për plagosje. Mark Frroku, i dënuar me 7 vite burg për fshehje pasurie, pastrim parash dhe ndërtim pa leje. Përsa i përket zyrtarëve në nivel më të ulët, ata janë të shumtë, që tregon edhe nivelin e lartë të korupsionit në institucione.

I ka shitur Rama apo nuk ka mundur t’i mbrojë, kjo është një pyetje që vetëm”Gjenerali i Ushtrisë së Burgosur” mund t’i kthejë përgjigje.

Te ngjashme