Gjenden dy kutitë e zeza të avionit rus, Kremlini akuzon Ukrainën

Agjencia ruse e lajmeve RIA njoftoi se janë gjetur të dy kutitë e zeza të avionit të Forcave Ajrore Ruse që u rrëzua të mërkurën, në rajonin e Belgorod pranë kufirit me Ukrainën.

Zyrtarët rusë akuzojnë Ukrainën për rrëzimin e avionit, që mbante robër lufte për t’u shkëmbyer, ndërkohë autoritetet ukrainase nuk kanë  reaguar rreth akuzave të  Moskës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi hetim ndërkombëtar për ngjarjen dhe tha se duhet të  vërtetohen të  gjitha faktet.

“Fakti që ukrainasit vranë të burgosurit e tyre, qytetarët e tyre që do të ktheheshin në shtëpi praktikisht në 24 orë, është padyshim një akt absolutisht monstruoz,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov;

Avion Ilyushin Il-76 i Forcave Ajrore Ruse raportohet të jetë rrëzuar 45 kilometra larg kufirit me Ukrainën, në rajonin Belgorod të Rusisë. Sipas autoriteteve ruse, në bordin e avionit ndodheshin 65 robër lufte ukrainas, të cilët priteshin  të shkëmbeheshin. Sipas Moskës, të gjithë 74 persona në avion humbën jetën.