Gjykata e Posaçme ka vendosur datën 22 Qershor si seancën e radhës për çështjen “Gërdeci”, ku i akuzuar është ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu.
Gjithashtu GJKKO ka pranuar edhe familjarët e viktimave dhe të plagosurve si palë në procesin ndaj ish-ministrit. Seancën e radhës do të thirren 290 persona, teksa ky vendim i gjykatës është konsideruar i pakuptimtë nga ana e avokatëve të Fatmir Mediut. Në sallën e gjyqit ditën e sotme kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane, të Bashkimit Evropian dhe të tjerë. Avokati i familjes Durda, Dorian Matlija, e quajti një arritje vendimin e Gjykatës.
“Historia e pjesëmarrjes së familjarëve të viktimave është një luftë shumë e gjatë. Ka qenë shumë e vështirë të ndryshohej që të arrinte kjo pikë e sotme. Pra të jenë krah për krah me të gjitha palët e tjera. Numri është i madh, dhe ky ishte hapi më logjik që do të duhej të bënte gjykata. Ata kanë të drejta për të kërkuar çdo gjë që debatohet atje. Prova të reja në gjykim të shkurtuar nuk mund të paraqiten dot. Por në gjykim të zakonshëm çdo gjë mund të ndodhë. Interesi i familjarëve ka qenë për të zbardhur ngjarjen, vetëm e vërteta”, u shpreh ai.
Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu akuzohet për “shpërdorim detyre” në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve” në fshatin Gërdec.
Si ndodhi tragjedia në Gërdec?
Në 15 Mars 2008, një shpërthim i fuqishëm në një fabrikë demontimi të armëve i mori jetën 26 personave, mes të cilëve edhe fëmijë. Shpërthimi ishte shumë i fuqishëm, aq sa dëmtoi më shumë se 3000 banesa përreth, ndërkohë që edhe pas 15 viteve, ende vijon gjyqi për Fatmir Mediun. Të vetmit që u përballën me drejtëinë ishin Mihal Delijorgji, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse.