Debate në PD, flasin protagonistët/ Salianji: “Basha po mban peng PD për interesa personale”

Deputeti i PD-së Ervin Salianji, akuzoi ish-kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, se ka marrë peng Partinë Demokratike për interesat e tij personale. Ai komentoi debatet e ashpra në mbledhjene kryesisë së PD-së më datë 6 qershor duke theksuar se PD vendosi mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar në 29 korrik, pa marrë parasysh se kjo forcë politike ka mbetur pa anëtarë.

“Interesat private dhe ekonomike të disave te pjesa e vulës ka bërë që te PD të mos ketë më parti. Nëse s’do ishte dhuna ndaj gazetarëve, do ishte si një sherr në lagje. Aty është një njeri i cili e ka marrë peng partinë, ish kryetari nuk u dorëhoq. U detyrua të largohej, por vazhdon ta marrë zvarrë atë parti. Do të tretet bashkë me partinë dhe bashkë me logon. Nuk kam ndonjë interes përveç interesit që i dhemb çdo demokrati që është sekuestruar vula, sigla, paratë. Aty ka më shumë pretendentë për kryetarë partie, sesa anëtarë partie. Ish kryetarit nuk i interesojnë njerëzit, por i interesojnë paratë se para ka. Është një situatë që çdo demokrat duhet të reagojë me forcë”, tha Salianji në pronocnim për mediat.

Nga ana tjetër deputeti Enkelejd Alibeaj tha se ofendimet dhe kërcënimet e mbështetësve të Bashës ndaj deputetëve të PD-së, nuk ishin dhunë por thjesht reagime emocionale. Alibeaj ka folur për mediat para se të hynte në seancë tha se edhe reagimi i Gazment Bardhit ishte “deri diku emocional”. Sipas tij në mbledhje nuk ka patur presion dhe të gjithë kanë dhënë opinionet e tyre se si duhet të ecë përpara PD-ja. Megjithatë ai tha se sipas rregullave të Kryesisë.

Por kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi i është përgjigjur deklaratave të Enkelejd Alibeaj, ndërsa tha jashtë parlamentit se nuk mund të amnistojë veprime të patolerueshme pse ndodhin nga një palë apo një tjetër.

“Uroj që mos të deformohet ajo që kam thënë. Të dhunosh verbërisht apo të shantazhosh e fyesh deputetë, anëtarë të Kryesisë, pse ata kanë një mendim ndryshe, është sjellje prej një grupi militar dhe jo sjellje demokratike ku secili shprehet i lirë, bazuar në ato që beson. Kam dëgjuar se qëndrimi im ka qenë emocional. Jo nuk ka qenë. Qëndrimet e vërteta nuk kanë asgjë të keqe. Kam pasur qëndrim parimor. Kam dënuar dhunë verbale, kur është përdorur nga grupi i Berishës. Do të dënojë fyerjet dhe shantazhin ndaj gazetarëve edhe kur vijnë nga anëtarë të PD. Nuk mundem të toleroj asnjë dhunë.”, tha Bardhi.

Ndërkohë, anëtarja e kryesisë së PD-së Flutura Açka njëkohësisht deputete e kësaj partie, ka sqaruar publikisht qëndrimine saj dhe fjalimin që mbajti në kryesi ku pati debate të ashpra për rreth 8 orë. Ajo thekson nevojën e një procesi për zgjedhjen e kryetarit të partisë me qëllim që demokratet të dinë rreth kujt do të bashkohen.

“Sot po flasim për procesin dhe ai nuk duhet të lidhet me asnjë emër, do të hyjmë apo jo në zgjedhjet për kryetarin e partisë. Pasi nëse nuk e kemi kryetarin e partisë, demokratët nuk vendosin të rrinë me ne apo jo, pasi nuk dinë me kë ta lidhin përfshirjen e tyre, as ata nga jashtë kur të vijë koha për ta hapur partinë, një gjë që duhet ta bëjmë brenda disa muajve dhe me cilësisht të lartë dhe me garë. Vetëm gara e ndershme, do të na nxjerrë me dinjitet para demokratëve, përndryshe vetëm do të përsëritim veten. Ne nuk duhet të bëjmë një parti antiBerishë, siç shpesh dëgjoj të thuhet e të veprohet. Ne duhet ta ringrejmë, ta bëjmë të besueshme dhe fituese Partinë Demokratike”, tha Açka.