Gazetari Flamur Vezaj u ka bërë thirrje të gjithë gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias të marrin pjesë në seancën publike për çështjen e sekuestrimit nga SPAK të pajisjeve elektronike të gazetarit Elton Qyno, që do të mbahet në 19 Mars në Gjykatën Kushtetuese.
Ai thotë se kjo çështje nuk mund të kalojë si diskutim i thjesht, por është problemi i medias në tërësi dhe çdo gazetari që kërkon të ruajë burimet gazetareske, pa të cilët nuk e informon dot publikun për temat e nxehta.
Vezaj tregon se SPAK pasi i sekuestroi pajisjet, shpërfilli urdhrin e OKB-së që ndalonte inspektimin e pajisjeve të Qynos. Sipas tij, në dhjetor 2024 u zbulua në sallën e Gjykatës së Lartë skandali se SPAK kishte kopjuar të gjithë strukturën e memories së pajisjeve (imazhet), për të përdorur të dhënat sipas qejfit.
Ai thotë se ky është një abuzim flagrant me pushtetin që SPAK i ka dhënë vetes, me bekimin edhe të gjykatave të të gjitha niveleve për fatin tonë të keq, duke shkelur në mënyrën më brutale të të drejtat e gazetarëve dhe vlerën e medias së pavarur.
Postimi i plotë:
THIRRJE PER KOLEGET
SOT ELTONI, NESER RADHA JUAJ!
Thirrje për të gjithë gazetarët dhe përfaqësuesit e medias
Më 19 mars 2025, ora 10:00, në Gjykatën Kushtetuese do të zhvillohet një seancë publike për çështjen e sekuestrimit nga SPAK të pajisjeve elektronike të gazetarit Elton Qyno.
Kjo nuk është seancë rutinë, sepse pas tre seancave të tjera, më 12 dhjetor 2024, 13 shkurt 2025 dhe 5 mars 2025 dhe disa letërkëmbimeve, Gjykata Kushtetuese vendosi që për këtë çështje të ndryshonte qendrim dhe mos ta diskutonte në bazë të dokumentave, por të thërresë një seancë publike të posaçme. Dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe. Kjo çështje nuk mund të kalojë si një diskutim i thjeshtë teknik që i përket një individi. Problemi që shtrohet nuk është vetëm i Elton Qynos, por është problemi i medias në tërësi dhe çdo gazetari që kërkon të ruajë burimet gazetareske, pa të cilët nuk e informon dot publikun për temat e nxehta.
SPAK, jo vetëm që i sekuestroi pajisjet e Elton Qynos në dhjetor 2023, jashtë çdo standardi dhe pa hetuar të dyshuarit brenda rradhëve të veta, por edhe e shpërfilli urdhrin e OKB-së që ndalonte inspektimin e pajisjeve të Qynos. Dhe jo vetëm kaq! Në dhjetor 2024 u zbulua në sallën e Gjykatës së Lartë skandali se SPAK kishte kopjuar të gjithë strukturën e memories së pajisjeve (imazhet), për të përdorur të dhënat sipas qejfit. Ky është një abuzim flagrant me pushtetin që SPAK i ka dhënë vetes, me bekimin edhe të gjykatave të të gjitha niveleve për fatin tonë të keq, duke shkelur në mënyrën më brutale të të drejtat e gazetarëve dhe vlerën e medias së pavarur.
Nëse për çështjen e Elton Qynos, Gjykata Kushtetuese, si trupa e fundit gjyqësore që ka mbetur pa u shprehur ende brenda Shqipërisë, nuk arrin dot t’i verë fre SPAK-ut, çfarë vjen më pas? A do të bëhej normale që gazetarët të keqtrajtohen sikur të ishin bashkëpunëtore në ndonjë krim? A do të bëhej normale që burimet gazetareske të mos kishin më asnjë mbrojtje dhe të mos donin t’ua shihnin bojën gazetarëve e jo më të bashkëpunonin me ta në të ardhmen? Po ne, publikut, çfarë do na ofrohej më pas, lajme kutie sipas versionit të pasterizuar që ofrojnë autoritetet?
Prandaj, të gjithë ata që e kuptojnë rëndësinë e kësaj beteje, i ftoj të jenë të pranishëm në seancën publike më 19 mars për të treguar që kjo nuk është një çështje e një emri të përveçëm, por kauza e të gjithëve për të mbrojtur një parim themelor të lirisë së medias dhe për të ndalur një precedent të rrezikshëm. Pa mbrojtje burimesh nuk ka gazetari të lirë. Pa mbrojtje burimesh, kushdo që guxon të flasë me gazetarët, rrezikon përndjekje. Sekuestrimi i pajisjeve nuk është “thjesht një hetim”, është një sulm ndaj gazetarisë.
Vendtakimi: Gjykata Kushtetuese – 19 Mars 2025, Ora 10:00.