Gara për drejtorin e BKH-së/ Përfundon faza e intervistës për 7 kandidatët në procesin e përzgjedhjes së kreut të ri

Pas zhvillimit të testit të poligrafit më datat 24 dhe 25 korrik, sot përfundoi edhe faza e intervistës për përzgjedhjen e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Intervistat nisën në orën 09:00, në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe zgjatën 45 minuta për secilin kandidat.

Nën monitorimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, komisioni vlerësoi njohuritë profesionale, aftësitë drejtuese dhe vizionin që kandidatët kanë për përballimin e sfidave në këtë funksion të lartë.

Në përfundim të kësaj faze, Komisioni i Përzgjedhjes vendosi që të shtatë kandidatët të kalojnë në fazën tjetër, që përfshin verifikimin e figurës dhe deklarimin e pasurisë.

Kujtojmë se kandidatët në garë për këtë institucion, i njohur ndryshe si “FBI-ja shqiptare”, janë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.