“Fshesa” Rama nis spastrimin në Elbasan, valë dorëheqjesh në bashki dhe njësi administrative

Pas kritikave publike të kryeministrit Edi Rama, në Bashkinë e Elbasanit ka nisur një valë e madhe dorëheqjesh.

Mediat raportojnë se drejtues të niveleve të larta si dhe administratorë të njësive vendore në këtë bashki kanë paraqitur dorëheqjen e tyre në mënyrë kolektive.

Kryeministri Rama është shprehur më herët për nevojën e një “rilindjeje institucionale” në disa bashki, përfshirë Elbasanin, ku janë evidentuar problematika në funksionimin administrativ dhe në zbatimin e reformave.

Në takimin e mbajtur me kryetarët e Bashkive, Rama theksoi se të gjithë administratorët e ish-komunave duhet të largohen dhe ky urdhër ka nisur të zbatohet.

“Kryetarët e njësive administrative të Republikës së Shqipërisë të gjithnjë duhet të shkarkohen. T’ju rijepet mundësia, por duke iu dhënë mundësi e të tjerëve që mund të jenë më të zotë se ata. Vota që kemi marrë më shumë se çdo herë tjetër, e kanë rritur diferencën mes sa jemi në anëtarët partie dhe sa janë ata që e duan këtë parti në krye. Tu japim mundësi të re njerëzve që të kontribuojnë për këtë vend, drejtorë dhe kryetarë njësish nuk i fus të gjithë me një thes, se me siguri ka siç është kryetari i njësisë së Novoselës, që mund të ketë 30 vite, por është ditën dhe natën në krye të detyrës. Të tjerët, mjafton të shohësh  si lulëzojnë barërat e këqija për ta kuptuar që nuk janë në funksion, kryetari i njësisë që ka varrezat e Elbasanit, duhet shkarkuar pa kthim”, paralajmëroi Rama.

Dorëhqeje të administratorëve të njësive ka patur dhe në bashki të tjera të vendit.