Fshehu pasurinë pasi nuk e justifikonte dot, SPAK kërkon 1 vit burg për ish-gjyqtarin e Kushtetueses, Fatos Lulo

SPAK ka kërkuar 1 vit burg për ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, me akuzën e mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë.

Sipas kërkesës dënimi mund të pezullohet dhe të konvertohet në 2 vjet shërbim prove.
Në hetimet e kryera nga prokuroria, rezultoi se Lulo ka një bilanc negativ të të ardhurave nga dy pasuri: një apartament në Tiranë dhe një zyrë 172 m² e deklaruar si e dhuruar në Rrugën e Durrësit.

Ish-gjyqtari ka deklaruar se dyqanin në “Rrugën e Durrësit” në Tiranë, me vlerë 120 mijë euro, ia ka bërë dhuratë motra. Kjo e fundit, sipas tij, i ka dhuruar edhe 100 mijë euro, ndërsa ka marrë hua edhe 480 mijë euro. Por, komisionet e Vetingut kanë konstatuar se motra e Fatos Lulos nuk ka pasur të ardhura të ligjshme financiare për të blerë dhe më pas dhuruar dyqanin me vlerë 120 mijë euro.

Ish gjyqtari u shkarkua nga detyra më 23 mars 2018 dhe pronat e pajistifikuara iu sekuestruan.
Ai pritet të paraqesë argumentet e tij në seancën e ardhshme.