Fshehu pasurinë, dënohet me 1 vit burg ish gjyqtari i KPA-së Ardjan Hajdari

Gjyqtari i Kolegjit të Posaccëm të Apelimit Ardjan Hajdari është shpallur fajtor për fshehje të pasurisë dhe është dënuar me 1 vit burg. Gjykata i pezulloi dënimin  me burg dhe Hajdari u dënua me 2 vite shërbim prove.

Hajdari u pezullua nga KPA në 2022, pasi u zbulua se kishte fshehur të ardhurat  përpara se të emërohej anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe të kryente vetingun për të tjerët.

Me kërkesën e SPAK, e cila dërgoi për gjykim çështjen ndaj Hajdarit, konstatohet se në kohën kur ai ka kryer deklarimin pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI në vitin 2017 në funksion të aplikimit të tij për një pozicion në institucionet e vetingut, ka lënë bosh rubrikën lidhur me të ardhurat e krijuara më parë nga avokatia.

Sipas prokurorisë, mosdeklarimi i të ardhurave nga aktiviteti i avokatisë nuk është harresë, por një fshehje e mirëfilltë e kryer për disa vite me radhë. Sipas verifikimeve të kryera, Hajdari ka përfaqësuar në cilësinë e avokatit dhjetra çështje për disa vite, por nuk i ka deklaruar në tatime të ardhurat e fituara.

SPAK zbuloi se prej shumë vitesh, Hajdari depozitonte pranë organeve tatimore deklarata tatimore me vlera zero ose ndonjë deklaratë me vlerë të papërfillshme. Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim edhe pas kontrollit tatimor të kryer për shkak të kërkesës për çregjistrim, duke pasqyruar një aktivitet me të ardhura thuajse ‘zero’.