Frederick Kempe

Një “NATO” dhe “BE” në Lindjen e Mesme, kundërhelmi më i mirë kundër dhunës

Nga Frederick Kempe “Atlantic Council”

Ish-presidenti amerikan, Duajt Ajzenhauer, citohet të ketë thënë në një rast “Në rast se nuk mund ta zgjidhësh dot një problem ashtu siç është, atëherë zgjeroje atë!”. Në gjendjen ku ndodhet sot Lindja e Mesme, ia vlen të zbatohet kjo këshillë, për të zgjeruar mundësitë e zgjidhjes së konflikteve në rajonin ndoshta më të trazuar në botë.

Sot ekziston një nevojë akute, që vendet arabe të moderuara por edhe modernizuese të fillojnë në heshtje, së bashku me Izraelin, të hedhin bazat për një organizatë të sigurisë kolektive të ngjashme me NATO-n, dhe një organ ekonomik të ngjashëm me Bashkimin Evropian (BE).

Këto institucione, do të zhbllokonin potencialin e madh që ka rajoni për të ecur përpara në paqe, duke iu kundërvënë cikleve të tij të pamëshirshme të dhunës. Koncepte të tilla, mund të duken si një fantazi naive në mesin e tmerreve të sulmit terrorist të Hamasit të 7 tetorit ndaj Izraelit, dhe luftës së vazhdueshme të këtij të fundit ndaj Gazës.

E megjithatë, disa zyrtarë të lartë në Lindjen e Mesme, po mendojnë tashmë për këtë gjë. Ata më kanë thënë se një qasje e tillë, do të ishte mënyra më efektive për të kundërshtuar luftën e Iranit dhe ekstremizmin ideologjik, pa të cilin nuk do të ndodhnin sulmet e Hamasit.

Këta zyrtarë, të cilët kërkuan të mbeten anonimë për të folur sa më sinqerisht, marrin si shembull Evropën. Kontinenti ishte shkatërruar nga shekuj dhune ndërshtetërore dhe fetare, të cilat kulmuan në 2 luftëra botërore me pasoja katastrofike. Bashkimi Evropian dhe NATO, kanë arritur që të sjellin në rajon një periudhë paqeje të paprecedentë.

Të vetmet luftëra të mëdha evropiane që nga krijimi i tyre, kanë ndodhur në vende jashtë këtyre institucioneve, në Ukrainë, Gjeorgji dhe Jugosllavi. Por duke pasur parasysh veçoritë historike dhe gjeografike të Lindjes së Mesme, çfarëdo që të krijojnë vendet e saj, do të evoluojë ndryshe.

Megjithatë bazuar sërish tek leksioni që vjen nga Evropa, është më mirë që projekti të nisë me një bërthamë të vogël vendesh të përkushtuara ndaj kësaj kauze, dhe më pas të zgjerohet me vende të tjera. NATO u themelua në vitin 1949 nga vetëm një duzinë vendesh,  përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë nga jashtë Evropës.

Ndërkohë sot aleanca përfshin 31 anëtarë. Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut u themelua në vitin 1952 nga 6 vende, duke shërbyer si pararendës i BE-së aktuale me 27 vende anëtare. Ashtu siç ndodhi dikur në Evropë, shtetet e moderuara arabe dhe Izraeli duhet ta nisin bashkëpunimin sigurinë kolektive, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe ndoshta edhe Indinë si dhe vendet kryesore evropiane.

Një zyrtar i lartë arab, më tha se vendet e Marrëveshjes së Abrahamit plus Egjipti dhe Jordania – që i kanë normalizuar tashmë marrëdhëniet me Izraelin me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara – do të ishin kandidatët më të mundshëm në fazën e parë.

“Unë do të jem një nga njerëzit e parë që do të mbështes krijimin e një NATO-je në Lindjen e Mesme”- tha Mbreti Abdullah II i Jordanisë në një intervistë të vitit të kaluar për televizionin amerikan CNBC. Aktualisht, Jordania po bashkëpunon ngushtë me NATO-n dhe ka luftuar “sup më sup” me forcat e Aleancës për dekada, vuri në dukje mbreti jordanez.

Ndërsa konflikti aktual i bën të duket të largëta pikëpamje të tilla, rreziku i përshkallëzimit të tij e bën konceptin edhe më urgjentisht të nevojshëm. Mundet vetëm të shpresohet që ai  nuk do ta çojë zgjerimin e konfliktit aktual në një nivel vdekjesh dhe shkatërrimesh të ngjashme me Luftën e Dytë Botërore, siç ndodhi në Evropë, për të nxitur më pas kauzën e përbashkët që do të qëndronte pas një nisme të tillë.

Së pari dhe më kryesorja, një udhëheqës tjetër i lartë arab më thotë se do t’i kërkojë Izraelit të pranojë se me formën e pushtimit që po kryen në Gaza po “luan në avantazhin e Iranit”. “Ne të gjithë duhet të luajmë lojën e gjatë”- thekson tha ai.

Izraeli s’ka zgjidhje tjetër veçse të zhvillojë luftën kundër Hamasit, dhe të synojë të shkatërrojë aftësinë e tij për të qeverisur Gazën, dhe për të mos kryer dot një sulm tjetër si ai i 7 tetorit. Thënë këtë, edhe nëse kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu do të jetë në gjendje të zhdukë kërcënimin ushtarak të Hamasit, ky sukses nuk do të zhdukë burimin e paqëndrueshmërisë rajonale: Iranin, ideologjinë e tij ekstremiste dhe mbështetjen e tij për milicitë e mbështetura prej tij:Hezbollahun në Liban, Hamasin në Gaza dhe Huthit në Jemen.

Pa një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit me palestinezët, duke përfshirë krijimin e mundshëm të një shteti palestinez, ose do të rigjenerohet Hamasi, ose në skenë do të shfaqet një grup i ngjashëm ekstremist. Megjithatë, ajo që nevojitet nuk është vetëm një qasje më e zgjuar e “një dite më pas”, dhe duke bërë me faj palestinezët, por edhe një qasje e “ditës së nesërme” për rajonin.

Me qëllimin e tyre për të shkatërruar Izraelin dhe për të mposhtur Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tij, sundimtarët despotë të Iranit kanë sukses në mesin e kaosit dhe dhunës që kanë prodhuar sulmet terroriste të Hamasit dhe pasojat e tyre.

Dhe pikërisht nën këtë atmosferë, sundimtarët iranianë mund të kontrollojnë më së miri popullsinë e tyre, dhe të vazhdojnë të ndërtojnë ndikimin e tyre të zgjeruar në të gjithë Lindjen e Mesme, i cili me kalimin e kohës ka lindur nga konfliktet në Liban, Jemen, Siri dhe midis palestinezëve dhe Izraelit.

Mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë këtij destabiliteti të shkaktuar nga Irani, është që shtetet e moderuara arabe të Gjirit dhe të rajonit, duke u mbështetur tek Marrëveshjet e Abrahamit, të thellojnë bashkëpunimin e tyre në fushën e sigurisë, duke e zgjeruar njëkohësisht bashkëpunimin e tyre edhe në teknologji, ekonomi dhe fushën e investimeve për të prodhuar më shumë stabilitet, prosperitet dhe shpresë për njerëzit e tyre.

Rezultati i rritjes së bashkëpunimit rajonal gjatë dekadës së ardhshme, thotë zyrtari i dytë arab, do t’i bënte jehonë asaj që ndodhi në Evropë. Sundimtarët e Iranit do të përballeshin me një pakënaqësi në rritje të qytetarëve të tij, duke i kushtuar vëmendje përparimit të vendeve fqinje, ashtu siç ndodhi me qytetarët e Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të Traktatit të Varshavës gjatë përballjes me NATO-n dhe BE-në gjatë Luftës së Ftohtë.

Nëse Izraeli dhe shtetet e moderuara arabe, do të jenë të aftë ta shfrytëzojnë këtë krizë për të mirën e brezave të ardhshëm, ata mund ta vendosin rajonin e tyre në një rrugë më pozitive dhe më të qëndrueshme. Por në rast se rajoni nuk arrin ta shfrytëzojë këtë mundësi, atëherë prisni përhapjen e mëtejshme të ekstremizmit ideologjik dhe dhunës, ndoshta duke rrezikuar edhe vetë shtetet e moderuara arabe.

Ndonëse kjo mund të mos duket koha e duhur për të menduar në terma afatgjatë, ia vlen të kujtojmë se Frenklin Ruzvelt dhe Uinston Çërçill e nënshkruan Kartën e Atlantikut në gushtin e vitit 1941, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore. Me kaq shumë gjëra në lojë dhe me rreziqet ekstreme në Lindjen e Mesme, vizioni duhet të jetë në përpjesëtim me momentin historik.

Shënim:Frederick Kempe, është president dhe shef ekzekutiv i institutit të mendimit “Atlantic Council”.