FOTOT/ Për shfaqje artistike? Blerjet e Ajola Xoxës të denja për sfilata mode, nga çantat te fustanet dhe këpucët e shtrenjta

I kemi parë politikanët, pushtetarët e familjarët e tyre të vishen me rroba e bizhuteri të shtrenjta, por pa ua ditur vlerën reale të tyre.

Por, njoftimi i SPAK mbi arrestimin e Erion Veliajt dhe informacioni i tyre se Ajola Xoxa kishte shpenzuar më shumë se 860 mijë euro për 4 vite në veshje dhe bizhuteri, në bëri të kuptojmë se mes çfarë luksi ata jetojnë.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja A. X., vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë”, shkruan SPAK.

Por menjëherë pas këtij njoftimi, erdhi edhe reagimi i Erion Veliajt, që shkruante se të gjitha blerjet ishin përdorur për shfaqje artistike.

“Ai, për shembull, ka shkruar në akt-akuzën haluçinante se ime shoqe ka harxhuar mbi gjysmë milionë euro për blerje online fustanësh dhe bizhuterish. Ky pervers, që më pyeste mua për fustanet e gruas dhe më tregonte gjatë marrjes në pyetje se si shkonte kontrollonte gruan e tij në punë, nuk ka dashur t’ia dijë për shpjegimet e mia dhe të sime shoqeje. Blerjet online janë të gjitha të deklaruara dhe në një shumë disa herë më të vogël, janë bërë për shfaqjet artistike të fondacionit kulturor të sime shoqeje. Faturimi i asaj shume në një akt-akuzë, si një lumë parash i derdhur për luks, është një perversitet kriminal”, shkruante Veliaj.

 Në krah të tij doli edhe kryeministri Rama, i cili i justifikoi blerjet me faktin se Erion Veliaj nuk vesh fustane e bizhuteri.

“Të thuash 800 mijë euro blerje online për bizhu dhe fustan ndërkohë që kryetari i bashkisë nuk vesh fustan e nuk përdor bizhu dhe për këtë të marrësh një njeri të zgjedhur që ka një kontratë me qytetarët dhe ta mbyllësh në dhomë paraburgimi” u shpreh Rama.

Por, Media ditari ka siguruar faturat doganore të Ajola Xoxës nga viti 2014 në vitin 2016, ku shihet se ajo ka blerë fustane, çanta, këpucë e bizhuteri nga markat më të njohura në botë.

T’i marrim me radhë çfarë ka blerë Ajola Xoxa (Një pjesë të tyre)

Janë 39 fatura në vitin 2014. E para është me 4 artikuj, nga të cilat 1 fustan, 2 funde dhe veshja e sipërme e fundit, në një total prej 679 paund.

Për të kaluar te veshjet intime, ku Ajola Xoxa ka shpenzuar 570 euro në një porosi për një bikini gome dhe një korse, siç tregohet edhe në fotot e mëposhtme.

Në një tjetër faturë me vlerë totale 811 paund, me porosi të ardhur në 26 Qershor 2014, Ajola Xoxa ka blerë një varese me vlerë 375 paund me figurën e Cleopatras, ish-mbretëreshën e Egjiptit, dhe disa veshje të tjera.

Viti 2016 ka sjellë edhe faturat më të “kripura” të blerjeve online të Ajola Xoxës, ku faturat kalojnë vlera mbi 2 mijë paund.

Në 7 Janar 2016, në adresën e Valbona Xoxës, nënës së Ajolës, do të vijnë disa porosi me vlerë 2132 paund, mes të cilëve edhe një fund me vlerë 452.5 paund.

Nuk mund të mungonin edhe një palë këpucë me vlerë 619 paund nga Christian Louboutin, të cilat janë në faturën totale prej 1558 eurosh në 15 Shkurt 2016

Në 17 Maj 2016, Ajola Xoxa i bën dhuratë vetes 12 artikuj në një faturë që shkon në total 3359 paund, teksa mes tyre është edhe një çantë Givenchy me vlerë 837 euro.

Në një tjetër porosi të bërë në 3 Qershor 2016, Ajola Xoxa ka paguar 3405 paund për 3 fustane, ku vetëm një prej tyre ka kushtuar 1850 paund.

Më poshtë janë fotot e 3 fustaneve të blera nga Ajola Xoxa