FOTO/ Vriten me breshëri plumbash baba e bir në Shkodër, autorët u ngritën kurth afër shtëpisë së djegur një natë më parë

Tronditëse ajo çfarë ka ndodhur pasditen e sotme në në fshatin Bruçaj të njësisë Pult në Dukagjin të Shkodrës.

Gjokë dhe Eduart Gurra, bab e bir, përkatësisht 57 dhe rreth 30 vjeç, janë qëlluar me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar dhe për pasojë kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Ata kishin shkuar për të parë shtëpinë e tyre, që një natë më parë ishte djegur.

Dyshohet se djegia e shtëpisë ka qenë një plan i mirëmenduar nga autorët, të cilët kanë pritur që bab e bir të shkonin në shtëpi për t’i kapur të papërgatitur dhe për t’i ekzekutuar në vend. Policia e Shkodrës është nisur menjëherë drejt vendngjarjes, ndërkohë që nuk dihet nëse viktimat kanë patur probleme me ndonjë person tjetër kohët e fundit.

Njoftimi i Policisë:

Policia e Shkodrës ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Dukagjin, ku janë vrarë me armë zjarri babë e bir, 57 dhe 31 vjeç.

Zyrtarisht, policia informon se rreth orës 16:40, në fshatin Sumë, Njësia Administrative Pult, në rrethana ende të paqarta janë vrarë me armë zjarri shtetasit Gj. G., 57 vjeç dhe djali i tij, E. G., 31 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër.

Shërbimet e Policisë dhe Grupi hetimor janë nisur menjëherë për në vendngjarje.

Me mbërritjen e shërbimeve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes do të japim përsëri njoftim më të detajuar.