Turistët që vizitojnë kryeqytetin italian, Romën, së shpejti do të duhet të paguajnë një tarifë prej 2 eurosh për të parë nga afër Fontanën e famshme të Trevit.
Kjo rregullore e re do të hyjë në fuqi më 1 shkurt 2026, duke vendosur një barrierë për vizitorët që dëshirojnë të afrohen pranë monumentit barok. Ndërsa monedhat që hidhen në fontanë vazhdojnë të dhurohen për bamirësi, tarifat e reja do të shkojnë tek autoriteti i qytetit për të financuar mirëmbajtjen dhe menaxhimin e vizitorëve. Qyteti pret të mbledhë 6.5 milionë euro në vit vetëm nga Fontana e Trevit.
Në një konferencë për media, kryetari i Romës, Roberto Gualtieri, u shpreh: “Dy euro nuk është shumë… dhe do të sjellë rrjedhë më të qetë të turistëve.”
Kjo masë është pjesë e një sistemi të ri tarifash për disa muze dhe monumente në kryeqytet.
Disa vende që aktualisht kërkojnë pagesë për hyrje do të bëhen falas për banorët e Romës, si Zona e Shenjtë e Largo Argentina.
Nga ana tjetër, turistët dhe jo-banorët do të duhet të paguajnë për të parë Fontanën e Trevit dhe pesë atraksione të tjera, përfshirë Muzeun Napoleonik.
Fëmijët nën pesë vjeç dhe personat me aftësi të kufizuara, së bashku me shoqëruesit e tyre, do të jenë të përjashtuar nga tarifat.
Vizitorët do të mund të shijojnë Fontanën e Trevit – e ndërtuar nga arkitekti italian Nicola Salvi në shekullin XVIII – edhe pa pagesë, por vetëm nga larg. Aktualisht, vendi pret mesatarisht 30,000 vizitorë në ditë, sipas autoriteteve të qytetit.
Pas punimeve restauruese të vitit të kaluar, Gualtieri ka futur edhe një sistem radhitjeje për të parandaluar grumbullimet e mëdha rreth monumentit. Hyrja është e kufizuar në 400 persona njëkohësisht.