Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj nuk dha një datë se kur do të hapen fondet e IPARD për Shqipërinë, 3 vite pas bllokimit për shkak të vjedhjes së tyre.
E pyetur nga gazetarët, pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj tha se procesi është në fazën finale, dhe tha se së shpejt pritet që fondet të hapen.
Ndërkohë sipas ministres, Shqipëria nuk është i vetmi vend që ka pasur problematika me fondet e IPARD.
Në gusht të vitit 2023, Komisioni Europian ndërpreu financimet për shkak të keqpërdorimeve dhe parregullsive të konstatuara nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), pas hetimeve që zbuluan raste korrupsioni, favorizimesh dhe ndërhyrjesh politike në skemën IPARD II.
“Ne presim finalizimin e proceduarave për dhënien e fondit IPARD, është një proces i cili ka qenë i zgjatur, kemi pasur dokumentacione për të dorëzuar, sipas procedurave të Bashkimit Europian, por është në fazat finale dhe presim që shumë shpejt fondet do të hapen. Ndërkohë, sigurisht që është një fond shumë i rëndësishëm që ndikon në të gjithë zhvillimin e bujqësisë ndaj dhe angazhimi është maksimal nga të dyja palët që ky fond të hapet.
Shqipëria nuk është vendi i vetëm që ka pasur problematika me IPARD-in”- tha ndër të tjera ministrja.