Foltorja e tretë e PD-së para Kryeministrisë, Policia nuk vendos gardhin metalik

Në orën 18:00 Partia Demokratike do të zhvillojë Foltoren e tretë para godinës së Kryeministrisë, teksa janë zbuluar edhe masat e marra nga Policia e Shtetit.

Bllokimi i Bulevardit ka nisur prej orës 15:00 dhe do të vijojë deri në përfundimin e tubimit, ku do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në segmentin që nis nga Ministria e Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”.

Po ashtu, të gjitha rrugët që lidhen me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin “Nënë Tereza” do të jenë të bllokuara, duke ndikuar në qarkullimin e automjeteve.

Sot pritet që numri i efektivëve të Policisë të jetë më i vogël, pasi dy foltoret e para të PD-së nuk kanë sjellë numër të madh njerëzish. Ndryshe nga protestat e mëparshme, përballë Kryeministrisë nuk është vendosur gardh metalik.