Florian Binaj shpall kandidaturën për Bashkinë e Tiranës: Pres mbështetjen nga të gjitha partitë që duan ndryshimin

Aktori i njohur Florian Binaj ka shpallur kandidaturën për të qenë ai kandidati i partive opozitare për zgjedhjet e 9 nëntorit në Bashkinë e Tiranës.

Në një postim në rrjetet sociale, ai thotë se pret që të ketë mbështetjen e të gjitha partive që duan vërtet ndryshimin, pavarësisht ngjyrave politike.

“Qëllimi im është, që së bashku, ta nxjerrim bashkinë nga gjendja në të cilën ndodhet për shkak të politikës dhe t’jua rikthejmë atë qytetarëve si një  shtëpi për të gjithë ne. Të rikthejmë besimin tek institucioni i bashkisë në shërbim të komunitetit”, shkruan Binaj ndër të tjera.

Kujtojmë se deri më tani kandidatë të zyrtarizuar janë Ogerta Manastirliu nga Partia Socialiste dhe Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë. Opozita po diskuton ende për një emër jashtë politikës, ku kandidati më i përfolur deri më tani është politologu Ermal Hasimja.

Reagimi i plotë i Florjan Binajt:

Të dashur mikesha dhe miq, qytetarë të ndershëm punëshumë e fjalëpakë të kryeqytetit të Shqipërisë. Si një artist i përfshirë në çështje publike me interes Kombëtar prej 22 vitesh, si një kryefamiljar, i rritur në një kryeqytet i cili ka shkatërruar shumëçka në emër të zhvillimit dhe që shumë pak gjëra kanë mbetur ende pa u bërë ish, nisur nga nevoja e menjëhershme për të pasur në drejtim të kryeqytetit një figurë e cila nuk është gjymtyrë e asnjë partie pasi e kemi parë në 34 vite që kjo mënyrë jo e drejtpërdrejtë nuk ka qënë frytëdhënëse në përmirësimin e cilësisë së jetës tonë. Na duhet një drejtues qytetar i zgjedhur nga qytetarët për qytetarët sepse asnjë nga ne nuk mund të presë më edhe 34 vite të tjera. Prandaj kam vendosur, të shpall kandidaturën time për Kryetar Bashkie të Tiranës duke dhënë  gjithë veten time për të përfaqësuar sa më denjësisht çdo qytetare dhe qytetar, me apo pa parti, elektoratin gri por pa i ndarë njerëzit në krahë, por si të barabartë, sepse asnjë qytet dhe aq më tepër kryeqyteti, nuk mund ti shërbejë vetëm palës politike që e drejton. Unë besoj se kontributi im do i shërbejë edhe pse gjysëm mandati, shpresës dhe bashkimit, përmirësimit të jetës të të gjithë kryeqytetasve.

Uroj dhe shpresoj që të gjitha partitë politike qe duan vërtet  ndryshimin pavarësisht ngjyrave të bashkohen me këtë nismë  dhe të kenë besim tek qytetarët ashtu siç qytetarët kanë pasur besim tek ta.

Qëllimi im është, që së bashku, ta nxjerrim bashkinë nga gjëndja në të cilën ndodhet për shkak të politikës dhe t’jua rikthejmë atë qytetarëve si një  shtëpi për të gjithë ne. Të rikthejmë besimin tek institucioni i bashkisë në shërbim të komunitetit!

Ftoj të gjithë qytetarët, intelektualët të majtë dhe të djathtë të na bashkohen.

Faleminderit.