Të gjitha akuzat që janë hedhur në drejtim të të ashtuquajturve oligarkë nga Partia Demokratike, janë tërhequr dy ditë më parë nga Flamur Noka, që në emisionin “Të Paekspozuarit” deklaroi se Samir Mane, Shefqet Kastrati dhe Bashkim Ulaj nuk janë oligarkë.
Pikërisht, të njëjtët njerëz që deri para fushatës ishin nga më të sulmuarit nga opozita, përveç Bashkim Ulajt, për shkak të lidhjeve të tij me Flamur Nokën, sot te PD i quajnë vetëm biznesmenë.
Madje, Flamur Noka tha se pyetjet që po i drejtonte moderatori Ylli Rakipi ishin bërë nga Endri Fuga, pasi ky i fundit kërkonte të përçante Partinë Demokratike me biznesmenët.
Jemi mësuar që në kohë fushatash të dëgjojmë çudira nga më të ndryshmet, por të tërheqësh akuzat e 12 viteve brenda pak minutash, këtë vështirë se e gjejmë në ndonjë vend tjetër.
Biseda në studio:
Ylli Rakipi: Ka një perceptim që PD dhe PS janë njëlloj, kanë të njëjtat interesa dhe u shërbejnë këtyre interesave. Përshembull, ju oligarkët i doni njëlloj. Pse nuk i përmendni ata? Samir Mane a është oligark? A i ka shërbyer Edi Ramës dhe a ka përfituar prej tij? Pse nuk e denonconi??
Flamur Noka: Jo nuk është oligark. Ka vetëm një oligark dhe ky është Edi Rama. Të gjithë janë shërbëtorë të tij dhe harroje. Është të gënjesh veten dhe të mashtrosh të tjerët me dashakeqësi.
Ylli Rakipi: Shefqet Kastrati është oligark?
Flamur Noka: Jo. Mos u lodh të bësh pyetje.
Andi Bushati: Mos e pyet fare.
Flamur Noka: Oligark dhe kryeoligark është Edi Rama.
Ylli Rakipi: Ulaj është oligark?
Flamur Noka: Jo.
Ylli Rakipi: Sa bukur e keni gjetur këtë, që Edi Rama qenka oligarku…
Flamur Noka: Zotëri e gjitha kjo lojë spinohet nga kuzhina e Fugës për të kundërvënë me biznesin, PD-në.
Ylli Rakipi: Domethënë këtë pyetje mua ma ka dhënë Endri Fuga?
Flamur Noka: Po. PD-ja është parti e djathtë, nuk sulmon biznesin.
Ylli Rakipi: Endri Fuga turp të kesh!
Flamur Noka: Çdo biznes apo biznesmen që fiton në mënyrë të paligjshme e kemi denoncuar. Por që unë të hyj në lojën e Fugës dhe të Ramës dhe të mos merrem me kryeoligarkun dhe të merrem me biznesin, kurrë s’ke për ta patur te unë.
Andi Bushati: Jo mos hyni, se ata PS-në do të financojnë. Atë do edhe Rama.
Ylli Rakipi: E paskan zgjidhur mirë këtë, të thonë që Rama i ka këto. Po kur ishin në kohën tuaj i kishte Saliu?
Flamur Noka: Unë nuk thashë që i ka Rama. Në Shqipëri ka një oligark dhe kryeoligark dhe ky është Edi Rama. Të tjerët janë ose individë…
Andi Bushati: Nuk i thonë Putinit oligark, por thonë oligarkët e Putinit. Ju nga halli se nuk thoni dot këta, caktoni Ramën.
Flamur Noka: Mos më bëj marksistin këtu. Kur u vu trau unë kam qenë në betejë. Kur u vu trau këtu unë dhe PD kemi qenë në betejë dhe kemi denoncuar. Kur u ndërtua tuneli i Palasës, Sali Berisha dhe PD kanë denoncuar, pra çdo akt që mban erë korruptive ne e denoncojmë.