Fanella e debutimit të Kobe Bryant shitet për 7 milionë dollarë, thyen rekord historik në NBA

Veshur nga legjenda në ndeshjen e tij të parë në 1996, fanella u shit në ankand si kujtim unik i një karriere që ndryshoi historinë e basketbollit

Fanella e parë që Kobe Bryant veshi gjatë debutimit të tij në NBA është shitur për një shifër rekord prej 7 milionë dollarësh në ankandin e organizuar nga Sotheby’s këtë të enjte.

Kjo shumë e bën atë “memorabilia-n” më të shtrenjtë ndonjëherë të lidhur me legjendën e Los Angeles Lakers, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident me helikopter në vitin 2020, së bashku me vajzën e tij 13-vjeçare Gianna dhe shtatë persona të tjerë.

Fanella ikonike me numrin 8 është përdorur nga Kobe gjatë ditës së parë me mediat, në debutimin e tij në ndeshjet parasezonale dhe në ndeshjen e parë zyrtare më 3 nëntor 1996 kundër Minnesota Timberwolves, ku ai luajti vetëm gjashtë minuta pa shënuar pikë.

Pavarësisht performancës së thjeshtë në debutim, kjo fanellë simbolizon fillimin e rrugëtimit të një prej emrave më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë NBA-ja, i cili më pas do të fitonte pesë tituj kampion dhe do të shkruante historinë.

Sotheby’s e përshkroi fanellën si “një urë mes potencialit të pastër të një adoleshenti dhe madhështisë së përpunuar që do të pasonte”. Fanella ishte shitur më parë për vetëm 115,000 dollarë në vitin 2012, por rëndësia e saj historike dhe emocionale e ka rritur ndjeshëm vlerën ndër vite.

“Fanellat e debutimit përfaqësojnë gjenezën e karrierës së një atleti. Janë ndër objektet më të kërkuara nga koleksionistët që kërkojnë pjesë unike të historisë së sportit,” u shpreh Brahm Wachter nga Sotheby’s.

Fanella e Bryant tani renditet si e katërta më e shtrenjtë në botë për sa i përket veshjeve të përdorura në ndeshje, pas fanellës së famshme të Babe Ruth ($24 milion), asaj të Michael Jordan nga finalet e 1998 ($10.1 milion), dhe fanellës së Diego Maradona nga Kupa e Botës 1986 ($9.3 milion).