Nderimi i kryeministrit Edi Rama me Urdhrin e Sheikh Zayed, dekorata më e lartë në Emiratet e Bashkuara Arabe, është pritur me shumë entuziazëm nga deputetja socialiste Evis Kushi.
Ajo ka publikuar në rrjetet sociale videon kur Rama merr dekoratën nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Sipas saj, ky nderim reflekton kontributin e shtetit shqiptar në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe partneriteteve strategjike.
Por, më poshtë ajo tregon edhe liderët e tjerë që kanë marrë këtë dekoratë. Kushi e vendos Ramën krah “figurave më të shquara botërore”, mes të cilëve edhe Vladimir Putin dhe Presidenti kinez Xi Jinping.
Postimi i Evis Kushit:
ryeministri Edi Rama është nderuar me dekoratën më të lartë nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Çfarë është Urdhri i Sheikh Zayed?
Urdhri i Sheikh Zayed është dekorata më e lartë e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe përfaqëson një vlerësim strategjik, jo personal. Ai reflekton rëndësinë e shtetit përballë Emirateve për rezultate konkrete dhe kontribut të prekshëm në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe partneriteteve strategjike.
Kush e ka marrë më parë këtë dekoratë?
Urdhri i Meritës Zayed, një nga klasat më të larta të nderimit, i është akorduar figurave më të shquara botërore si Mbretëresha Elizabeth II, Narendra Modi, Xi Jinping, Vladimir Putin, Abdel Fattah el-Sisi, Mbreti Salman bin Abdulaziz Al Saud, Emmanuel Macron dhe Giorgio Napolitano. Këta liderë janë nderuar për rolin e tyre në forcimin e bashkëpunimit diplomatik, politik, ekonomik dhe kulturor me Emiratet e Bashkuara Arabe