Euro në minimumin historik, por çmimet nuk ulen! Përse qeveria hesht për zhvatjen që u bëhet shqiptarëve?

Dje, për herë të parë zyrtarisht, kursi i këmbimit të euros ra poshtë kufirit të 100 lekëve. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 99.95 lekë, duke prekur një minimum të ri historik.

Kjo rënie e euros do të duhej të sillte edhe rënien e çmimit të ushqimeve dhe karburantit në vendin tonë, por diçka e tillë nuk ka ndodhur.

Shqiptarët, një nga popujt më të varfër në Europë, vijojnë të blejnë ushqimet dhe karburantin me çmime të larta si në kohë krizash e “luftërash”, pasi kompanitë që operojnë në vendin tonë e kanë kthyer në monopol gjithçka.

Rreth 1 muaj më parë, profesori i ekonomisë, Ilir Ciko, nxori një studim që tregonte se shqiptarët paguajnë mesatarisht 80% më shumë se në vendet e BE-së për të njëjtat produkte. Ai krahasoi 150 produkte, tregtuar nga të njëjtat kompani si në Shqipëri dhe në BE, me diferencën e shifrave që është shumë shqetësuese.

Këto diferenca çmimesh vijnë nga mungesa e konkurrencës, pasi në Shqipëri operojnë vetëm 3 kompani, të cilat përfitojnë sa më shumë të jetë e mundur nga xhepat e qytetarëve. Pavarësisht kësaj zhvatje të madhe që u bëhet shqiptarëve, nga qeveria nuk ka asnjë ndërhyrje, teksa Bordi i Transparencës i krijuar për disa muaj ishte vetëm për propagandë, pasi më shumë u shërbeu tregtarëve se sa qytetarëve.

Për studimin e profesorit Ciko nuk pati asnjë reagim, as nga mazhoranca dhe as nga opozita, që shqetësohen më shumë për të rregulluar Kodin Zgjedhor e për të ruajtur karriget e tyre, se sa për problemet e qytetarëve.

Sot, shqiptarët vijojnë të paguajnë çmime disa herë më të larta edhe se qytetarët e BE-së, teksa të ardhurat e tyre janë shumë herë të më vogla.

Por, teksa e kanë të vështirë të ngopin barkun me bukë, mendon qeveria që t’u mbushë mendjen me propagandë, me rritje rrogash mesatare si dhe me numër turistësh, ndërkohë që qytetarët shqiptarë pushimet as nuk mund t’i ëndërrojnë.