Një nga kandidatët e mundshëm të opozitës për Bashkinë e Tiranës është Ermal Hasimja, i propozuar nga Partia Mundësia.
Ai tregoi në një intervistë për A2CNN si e priti propozimin e opozitës, si dhe këshillat dhe reagimet e miqve të tij kur dëgjuan se mund të jetë kandidati që do rivalizojë Ogerta Manastirliun. Hasimja tha se pikërisht reagimet e miqve e kanë nxitur ta marrë seriozisht këtë propozim.
“Kam marrë një lloj konfirmimi që emrat janë propozuar dhe po diskutohet në forumet përkatëse dhe kjo është gjendja për momentin. Kam patur gjithmonë një prirje gjatë këtyre viteve, por nuk kam ndjerë kushtet e përshtatshme. Nuk kam patur shumë kohë të mendohem e reflektoj për atë që po ndodh. Ajo që më ka nxitur që ta marr seriozisht këtë gjë është reagimi pafund i miqve të njohur e të panjohur që më kanë komunikuar mbështetjen e gatishmërinë për t’u angazhuar, përfshirë edhe shumë njerëz të medias. Dhe kjo ishte një lloj nxitje e inkurajimi”, tha ai.
Hasimja thotë se ka edhe nga ata që e kanë këshilluar për vështirësitë që ka kjo garë elektorale, pasi përballë ka një kandidate të mazhorancës, që vetëm pak muaj më parë mori 83 deputetë dhe mandatin e katërt qeverisës.
“Ka edhe plot nga ata që kanë qenë në pozita të ngjashme me mua apo që do të donin të ishin, që kanë ambicie e dëshirë, por kanë atë merakun se politika të bën pis, por ka nga ata që shprehin vështirësitë e kësaj sipërmarrjeje. Prandaj është e nevojshme të ketë qartësi më të madhe për mua e për këdo që do t’i propozohej kjo lloj sipërmarrjeje”, tregoi politologu.
Për të, koha e shkurtër që ka në dispozicion i krijon pak vështirësi, ashtu si edhe sistemi patronazhist i mazhorancës, por thekson se diferencën në fund e bën kandidati që besohet më shumë nga qytetarët.
“Koha e shkurtër është sipërmarrje e vështirë për këdo, por dikush duhet ta bëjë. Këto nuk i ndryshon dot por e vetmja gjë që është në dorë të kandidati është integriteti, bagazhi që ka dhe aftësia për të bërë fushatë. Askush nuk ka vendosur gjë as ata që vendosin, as unë, që do them fjalën përfundimtare. Është e vështirë jo vetëm për kohën e shkurtër, por se shumica ka ndërtuar një sistem patronazhimi e klientelist që është e vështirë t’i mposhtësh dhe mund të gjendesh te paradoksi që njerëzit të pëlqejnë, por votojnë aty ku kanë detyrimin apo ku duan të ruajnë vendin e punës. Vështirësitë janë, por nga ana tjetër konstaton se opozita nëse bëhet bashkë e vetmja gjë që e dallon fitoren nga humbja është kapaciteti i kandidatit për të tërhequr kandidatin gri. Ky është variabli i ekuacionit që duhet të përcaktohet. mendoj që ka shanse reale”.