Erion Veliaj tërhiqet nga beteja me Ramën, rikthen Anuela Ristanin në krye të Bashkisë së Tiranës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është tërhequr nga beteja me kryeministrin Edi Rama në lidhje me emrin se kush duhet të drejtojë kryeqytetin, pas arrestimit të tij me urdhër të SPAK dhe i akuzuar për veprat penale korrupsion dhe pastrim parash.

Pasi firmosi dy ditë më parë delegimin e kompetencave te Sara Goxhaj, Veliaj ka bërë sërish prapaktheu dhe ka rikthyer Anuela Ristanin, si drejtuese e komanduar e Bashkisë Tiranë.

Në postimin e tij në rrjetet sociale, Erion Veliaj nga paraburgimi i Durrësit flet për raportin me Ramën duke shtuar se marrëdhënia e tyre nuk ndryshon, pavarësisht kohërave dhe situatave të krijuara.

Reagimi i Erion Veliajt:

U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh.
E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje.
E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm.
E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi.