Anuela Ristani është komanduar në krye të Bashkisë së Tiranës, një ditë pas arrestimit të Erion Veliajt me urdhër të SPAK.
Veliaj i ka deleguar Ristanit firmën, duke marrë kështu detyrën e kryetares së komanduar të bashkisë. Anuela Ristani mbante aktualisht postin e nënkryetares, së bashku me Andi Seferi, Keti Luarasi, Frida Pashako dhe Jonida Halili.
Kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua mesditën e 10 shkurtit teksa ndodhej në zyrën e tij në Bashkinë e Tiranës. Ai u shoqërua nga agjentët e BKH-së drejt bllokut të sigurisë te “Mine Peza” ku kaloi natën e parë në qeli. Ai akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste dhe pastrim parash. Ndërkohë bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa e cila ndodhet në arrest shtëpie akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Përmes një njoftimi zyrtar SPAK ka zbardhur skemën se si Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij në të paktën 10 raste kanë kryer veprime korruptive, si dhe pastrim parash. Sipas SPAK, fonde publike që janë shpërndarë nga Bashkia e Tiranës, kanë kaluar tek Ajola Xoxa dhe rrethi i saj familjar përmes OJF-ve dhe shoqërive të kontrolluara nga ajo. Ndërkohë janë sekuestruar llogaritë bankare të Ajola Xoxës në shumën 869 mijë euro si dhe nga kontrollet në qendrën Harabel janë gjetur 95.350 euro, 14.900 dollarë dhe 665 mijë lekë, të cilat po ashtu janë sekuestruar.
SPAK thotë se bashkeshortja e Veliajt, Ajola Xoxa për katër vite ka bërë blerje online duke shpenzuar plot 860 mijë euro për bizhu dhe veshje. Këto shpenzime nuk janë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë së Tiranës dhe personave lidhur me të.