Erion Veliaj mbetet në burg, GJKKO u njoh me hetimet 2-mujore të SPAK ndaj kryebashkiakut

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mbetet në burg. Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e tij për zëvendësim të masës së sigurisë. Kërkesa për zëvendësim të masës “arrest në shtëpi” me një masë më të butë, u refuzua nga gjykata edhe për biznesmenin, Elman Abule.

Në seancën e sotme, SPAK informoi GJKKO se përgjatë dy muajve janë kryer 114 veprime hetimore që lidhen me dosjen ndaj Veliajt, mes tyre kontrolle, sekuestro dhe marrje dëshmish.

Erion Veliaj u arrestua më datë 10 Shkurt në zyrën e tij në Bashkinë e Tiranës, i akuzuar për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash. Bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, ndaj së cilës u vendos fillimisht “arrest shtëpie” ndodhet në masën “detyrim paraqitje”. E njëjta masë u vendos edhe për 5 biznesmenët: Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.

Nga qelia e paraburgimit të Durrësit Veliaj ka qenë tepër aktiv në rrjete sociale, ku pretendon se është dënuar pa gjyq ndërsa ka sulmuar vazhdimisht prokurorin e çështjes së tij, Olsi Dado dhe gjyqtarin Erion Bani, i cili firmosi arrestimin.