Erald Kapri

Qeveria Rama ka miratuar emrat e disa ambasadorëve të rinj të cilët presin dakortësinë e Presidentit të Republikës. Disa prej kandidatëve u përballën dje në Komisionin parlamentar të Politikës së Jashtme. Ajo që ra në sy ishte cekësia e përgjigjeve të kandidatëve, CV-ja e tyre modeste, duke evidentuar qartë se kemi të bëjmë me qoka dhe jo me diplomaci. Kaq dëshpërues ishin disa të propozuar sa kandidatja për ambasadore në Izrael refuzoi të përgjigjej ndaj një pyetje konkrete.

Prej vitesh diplomacia shqiptare ndodhet në një krizë të thellë identitare. Duke filluar nga ministrja aktuale e Jashtme e deri tek ambasadorët rishtarë, politika e jashtme nuk ka qënë asnjëherë kaq groteske. Edhe gjatë kohës së komunizmit, diktatori kujdesej që ambasadorët e tij të ishin njerëz të dinjitetshëm, të përgatitur.

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka mund të humbasë mandatin e deputetes sepse familjarët e saj janë shpallur investitorë strategjikë për të ndërtuar hotel lukzoz në Dhërmi. Në Athinë, aty ku diplomacia shqiptare ka më shumë punë se kudo tjetër, është emëruar ambasadore një zonjë pa eksperiencë vetëm e vetëm se është vajza e një ish politikani të majtë. Një vajzë tjetër e një ish politikani të ndjerë është emëruar zv ministre.  

Shqipëria ka pasur një traditë ndryshe në diplomaci. Mjafton të kujtosh se ambasadori i parë në Athinë në 1922 ka qënë Mid’hat Frashëri. Faik Konica u emërua në SHBA, Mehmet Konica në Londër, etj. Pra, diplomacia nuk shihej si vend qokash por prestigji ku më të mirët e kombit duhet të shërbenin.

Tanimë qokat do shtohen me ambasadorët e rinj. Ervin Bushati, ish deputet socialist do përfaqësojë Shqipërinë në aleatin strategjik SHBA. Ish deputetja Vasilika Hysi në OKB ku Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit. Për të mos folur për nepotizmin ku familjarë të pronarëve mediatikë apo ministrave gjenden mes kandidaturave.

Po si ka mundësi që Shqipëria nuk paska dy diplomatë karriere dhe të vlerësuar që mund të shërbejnë në këto pozicione?!

Arsyeja është e thjeshtë. Qeverisja ka degraduar deri aty sa edhe vendet e ambasadorëve i sheh si shpërblime elektorale. Ky është një tregues se gjendjes së mjerueshme të Shqipërisë.  

Te ngjashme