Avantazhi me 5500 vota në Kukës pas “show”-t Gjici është kapitullim i shoqërisë
Fitorja e kandidatit të maxhorancës në Kukës nuk ishte surprizë.
Opozita ka humbur çdo zgjedhje të pjesshme në Shqipëri që nga pruralizmi politik. Resurset e qeverisë që përqendrohen në një zonë elektorale në një kohë kur opozita ndodhet në një dramë identitare dhe organizimi, nuk mund të sillte përmbysje.
Në bashkinë më të varfër të vendit, kandidati i qeverisë organizoi edhe koncerte të shtrenjta e madje reklamë në Time Square në Neë York.
Por lajmi i rezultatit në Kukës ishte tek avantazhi. Kandidati i qeverisë fitoi me 5500 vota diferencë, si kurrë më parë në këtë bashki tradicionale të djathtë. Dhe për më tepër, ky rezultat erdhi pas skandalit të tmerrshëm të ish kryebashkiakut Safet Gjici. Ky i fundit, e fitoi bashkinë duke qënë kryetar i emëruar pa zgjedhje me një diferencë prej 2 mijë votash.
Arsyet e këtij rezultati janë të shumta por ai faktoi se shoqëria është dorëzuar totalisht. Banorët e Kukësit, edhe pasi panë se çfarë bënte në zyrë ish kryebashkiaku, votuan edhe më shumë ofertën e qeverisë. Varfëria, mungesa e shpresës, jo vetëm që i dorëzoi kuksianët por iu bashkuan edhe më shumë qeverisë.
Çështja është se në çdo bashki tjetër që mund të kishte zgjedhje të parakohshme, rezultati do të ishte i ngjashëm. Sa herë ka zgjedhje, i fiton vetëm qeveria, ndërsa opozita e ka të pamundur të ngrejë kokën.
Si asnjëherë më parë, shoqëria shqiptare ka hyrë në një cikël degradimi dhe dorëzimi. Më shumë shqiptarë po largohen jashtë vendit, të tjerë nuk e ngrejnë zërin, më shumë të tjerë ulin kokën.
Shqipëria nuk i ngjason aspak shoqërisë që ishte para 10 vjetësh, e cila edhe pse e varfër, kishte më shumë shpresë dhe arrinte të bënte minimalisht rrotacion politik. Nga një model dypolar të fortë, që konkuronte dhe alternohej, sot Shqipëria është një model që ndikohet vetëm nga kreu i qeverisë që ka çdo pushtet.
Ky është modeli i Turqisë, Bjellorusisë, Serbisë, ku edhe pse mund të ketë opozita të zhurmshme, nuk kanë aspak fuqi të përmbysin qeverinë.
Rezultati i Kukësit na dëshmoi se ky model është çimentuar tashmë. Shqipëria nuk është më vendi me dëshirën më të madhe në ish lindjen komuniste për demokraci dhe anëtarësim në Bashkimin Europian, por është thjeshtë një vend që ka ngecur në një tranzicion mbytës dhe të korruptuar që do i lërë pasoja afatgjatë.