Erald Kapri

Si ta kuptojmë presionin grek për Belerin dhe planet që fshihen nga pas

Çështja Beleri ka acaruar fort marrëdhëniet shqiptaro-greke duke shkuar deri aty sa Athina zyrtare të kërcënojë Shqipërinë me anëtarësimin në BE.

Në pamje të parë, futja në burg e Fredi Belerit, me akuzën e blerjes së votave në zgjedhje, do të duhet të ishte një lajm banal. Por presioni i fortë i shtetit helen duket se po nxjerr në pah arsyen e vërtetë; që është humbja e investimit më të madh të tyre në dekadën e fundit në Shqipëri.

Kushdo që ka hulumtuar në politikën e jashme të Greqisë ndaj Shqipërisë, e di fare mirë se projekti helen është që nga Vjosa në jug, e nga Llogaraja në Sarandë, të cilësohet si një zonë minoritare, me dy gjuhë, me dy tabela, me një influencë të plotë të Athinës në të gjithë këtë territor. Kjo ka nisur me një plan prej 30 vitesh, më kërkesa të forta të palës greke, nga varreza të ushtarëve grekë, nga shkolla në gjuhën greke, nga toponimet, të drejtat e minoritetit, etj.

Edhe pse Shqipëria ka plotësuar shumicën e kërkesave greke, madje duke lejuar dy bashki minoritare në jug, Dropulli dhe Finiqi, me të drejtë, Athina nuk heq dorë nga Himara Helene. Fillimisht, u investua fort përmes një figure lokale si ish kryetari i Bashkisë Vasil Bollano, por më rënien e tij dhe uljen ndikimit të PBDNj-së në politikën shqiptare, shteti grek ndryshoi strategji.

Fredi Beleri, si kryetar i Organizatës OMONIA, ka të paktën 10 vite që investon për një qëllim të vetëm, të bëhej kryetar bashkie në Himare. Dhe po ashtu, shteti grek e ka mbështetur pa kushte, pasi siç raportohet, ai ka ndihmuar njerëz pa fund në të gjithë zonën, nga shkollimi, letra pune në greqi, probleme shëndetësore, shtetësi greke, etj.

Arsyeja pse kërkohej Himara me çdo kusht është për shkak të ligjit “për mbrotjen e pakicave kombëtare” të miratuar pak vite më parë nga Shteti Shqiptar. Sipas këtij ligji, nëse një bashki del në census më shumë se 20 % popullsi përkatësi etnike, atëhere ata kanë të drejtë të kërkojë disa të drejta, që nga shkollimi, flamuri, tabela në dy gjuhë, si në çdo vend normal ku mbrohen pakicat. Me pak fjalë, nëse në Bashkinë Himarë deklarohen mbi 20 % shtetas etnikë grekë, atëhere nga Palasa në Shen Vasil, çdo tabelë do ishte në dygjuhë dhe flamuri grek do ngulej majë Llogarasë.

Dhe në fakt, fitorja e Belerit erdhi në momentin e duhur. Sepse tani në vjeshtë do kryhet censusi i popullsisë dhe duhej punuar fort që Himara të tejkalojë shifrën 20 % të deklarimit si etnikë grekë. Nëse do arrihej kjo, që do ishte e mundshme, atëherë Fredi Beleri si kryebashkiak, do i kërkonte Këshillit Bashkiak, që Himara të merrte të njëjtën status si Dropulli dhe Finiqi. Por qënia në burg e shkatërroi gjithë ketë investim të palës greke.

Nuk dihet se si do shkojë çështja Beleri me drejtësisë shqiptare, por ajo që po duket në sfond është se Shqipëria dhe Greqia do hyjnë në një dimër të ftohtë marrëdhëniesh. Ndoshta, Shqipëria do përballet më vështirësi në integrimin europian, do ketë presion të madh ndërkombëtar.

Ndaj ngrihet pyetja se ç’duhet të bëjë Shqipëria në këtë rast. Problemi themelor është që shteti shqiptar nuk ka pasur një politikë të vërtetë dhe të qendrushme se si duhet të sillet me shtetin grek dhe se si duhet të zgjidhe problemet mes dy vendeve që janë të shumta. Prej 30 vjetësh, Greqia vetëm fiton, ndërsa Shqipëria merr vetëm thërrime.

Diskutimet mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe marrëveshjet e dala nga to, kanë mjaft hije dyshimi.

Çështjet e mbartura mes dy vendeve nuk mund të zgjidhen vetëm nga disa takime për shkak të mprehtësisë së tyre. Fjala bie, kur flasim për çështjen e ligjit të luftës, heqja e tij duhet të kërkojë një studim dhe një plan paraprak në mënyrë që historia e këtij ligji të mos përsëritet. Kujtojmë se me nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë në vitet ’90, u tha se ligji i luftës u shfuqizua dhe më pas u vërtetua se nuk ishte e vërtetë. Pronat e shqiptarëve të konfiskuara me këtë ligj janë ende të konfiskuara.

Çështja e marrëveshjes së detit është gjithashtu mjaft delikate dhe ka mbetur në vendnumëro, ndonëse u la parimisht se të dy vendet do e zgjidhnin në gjykatë ndërkombëtare.

Vlen të theksohet se çështjet që janë mes Shqipërisë dhe Greqisë janë tepër të komplikuara sa ideja se “zgjidhëm çështjet” është një dritëshkurtësi.

Vetëm në vitet 30 nën Mbretin Zog, Shqipëria dhe Greqia mbyllën çështjet mes dy vendeve të tilla si njohjen e minoriteteve, autoqefalia e Kishës, hapja e shkollave shqipe në Çamëri, etj dhe sërish shtetarët e atyre viteve nuk proklamonin diçka të tillë. Çështja Çame kërkon një angazhim tepër serioz të diplomacisë shqiptare në raport me shtetin helen por edhe me faktorin ndërkombëtar.
Problemi themelor ka qënë se qeveria shqiptare ka përdorur marrëveshjet me Greqinë për kapital të brendshëm politik. Kjo nuk i shërben interesave kombëtare. Çështjet shqiptaro greke duan maturi dhe konsesus të gjerë, ndryshe, egziston rreziku se shteti grek të mos të kërkojë më asnjë diskutim për shqetësimet shqiptare, nisur nga fakti se çështjet jetike të tyre i konsiderojnë të mbyllura.

Ndaj, më shumë se sa Beleri, problem është se si duhet të kemi një politikë kombëtare ndaj Greqisë.

Te ngjashme