A mund të sjellë SPAK ndryshimin e madh dhe rasti i Rumanisë
Duhet pranuar se dosja e inceneratorëve e Prokurorisë Speciale SPAK i ka futur lepurin ne bark çdokujt që ka vjedhur në këtë vend. Hetimi i korrupsionit deri në palë të treta, pavarësisht se nuk ke hedhur firmën, ka trazuar ujërat e ndjenjura të realitetit shqiptar.
Por optimizmi i këtyre ditëve, se SPAK mund të ndërshkojë korrupsionin, nuk duhet kaluar në euforizëm. Shumë ministra e ish ministra mund të futen në burg por kjo nuk do të thotë se Shqipëria mund të ndryshojë shpejt.
Lufta ndaj korrupsionit është komplekse dhe ajo nis nga koka. Vetëm se, në Shqipëri kokat pretendojnë që “nuk dinë gjë” dhe vazhdojnë të qendrojnë në pushtet. Nuk e kanë problem të zëvëndësojnë zv/ministra, sekretarë të përgjithshëm, zvkryeministra që kanë firmosur për llogari të “kokës”. Përsa kohë nuk dënohen kokat por vetëm zëvëndësat, nuk ka drejtësi.
Për analogji, mund të marrim rastin e Rumanisë. Rreth 15 vite më parë, atje u ngrit prokuroria speciale antikorrupsion që arriti të vendosë në pranga një ish-kryeministër, shumë ministra dhe mbi 200 zyrtarë të lartë. Miliona rumunë protestuan në sheshe. Por në fund, në pushtet qendroi e njëjta parti. Ndëshkimi i korrupsionit në Rumani përmirësoi qeverisjen, por nuk e ndryshoi vendin, atë që shumica e rumunëve apo perëndimorëve do të donin.
Në Shqipëri duket e njëjta situatë. Çdo gjë lëviz, apo asgjë nuk po ndryshon. Pavarësisht se sa ministra do çojë në burg SPAK, nuk do ketë ndryshim rrënjësor, katharsis, apo një qeverisje me duar të pastra. Sepse sistemi politik klientelist i perfeksionimit të votës nuk e lejon ndryshimin.
Dhe kjo po duket. Zgjedhjet e pjesshme në Rrogozhine e treguan. Do duket edhe në Kukës pas disa muash që pavarësisht skandalit të rëndë, zgjedhjet pritet t’i fitojë partia në pushtet.
Gjithashtu, vendi është zhveshur nga një numër i madh votuesish të revoltuar që i kanë lënë shëndenë Shqipërisë. Në çdo zgjedhje numri fizik i votuesve po bie dhe kjo nënkupton se rotacioni politik po kthehet në mision i pamundur.
Ndryshe nga Rumania, situata është më e vështirë në Shqipëri sepse jemi një vend i vogël. Sa më pak votues, aq më lehtë e ka një pushtet të kontrollojë votën.
Ndaj, duhet parë përtej. Ndëshkimi i shumë politikanëve të korruptuar mund të krijojë mundësi të re. Çështja është a do mund të materializohet kjo mundësi e re? Deri tani, gjasat janë për jo. Do presim ende…