Korrupsioni po e izolon Shqipërinë nga Perëndimi
Përgjatë javës së fundit, Shqipëria është përballur me dy zhvillime të cilat kanë kaluar pa vëmëndjen e duhur. Bashkimi Europian ndërpreu të gjitha financimet në mbështetje të bujqësisë shqiptare ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës publikuan raportin më të rëndë ndonjëherë për klimën e investimeve.
Me pak fjalë, Shqipëria humbi qindra milionë euro financime në bujqësi ndërsa raporti i DASH paralajmëronte se klima aktuale në Shqipëri nuk mund të sjellë asnjë investitor të huaj.
Raporti i DASH-it shkoi përtej gjuhës së zakonshme të raporteve në vitet e kaluara, ku flet për një korrupsion sistemik, ku biznesi vihet në shënjestër shantazhesh nga administrata, media dhe grupet kriminale. Madje, raporti thekson se largimi i të rinjve nga Shqipëria dhe të kualifikuarve po vendos ekonominë shqiptare në një rrezik afatgjatë.
Pra, korrupsioni po e izolon Shqipërinë nga perëndimi, ku qoftë para publike të taksapaguesve perëndimorë dhe qoftë paratë e investitorëve nuk mund të vijnë më në Shqipëri. Ky është një lajm mjaft i rëndë për shqiptarët por dhe një paralajmërim se vitet e ardhshme do jenë varfëruese nëse nuk ka ndryshime thelbësore në vend.
Ndryshimet në vend po duken të pamundura. Teksa maxhoranca po tenton të pastrojë ujin e qelbur të kënetës së vet, opozita duket e pafuqishme të ngrihet për të tejkaluar gjullurdinë me të cilën po merret brenda vetes.
E në këto kushte, të vetmet lajme që do shohim në muajt e ardhshëm do jenë vetëm arrestime të korruptuarish, ndryshime në maxhorancë dhe akuzat e opozitës që nuk harron të merret më shumë me vulën e partisë.
Ndryshimi i vërtetë mund të nisë përmes një opozite të vërtetë dhe të besueshme e cilat mund të sjellë shpresë.
Duhet një model ndryshe nga ai i Kryeministrit Rama. Duhet kontrast me qeverinë. Sa kohë që përballemi me modele të provuara, të cekëta, të përfolur për korrupsion, ndryshimi nuk mund të vijë.
Sado ministra apo zyrtarë të lartë të arrestojë SPAK, ujërat e kënetës nuk ndryshojnë.