Kreu i SPAK, Altin Dumani, i pranishëm në tryezën e drejtësisë të organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë, tha se organi që ai drejton ka dëshmuar se është në gjendje të kryejë hetime të guximshme duke arritur deri tek zyrtarët e lartë shtetërorë.
Ai pohoi se kjo panoramë dëshmon se epoka e paprekshmërisë në Shqipëri po lëkundet dhe se askush nuk mund të jetë mbi ligjin.
“Konstatohet një progresi i arritur nga SPAK dhe një tregues, që SPAK ka treguar se është në gjendje, në respektim të ligjit dhe Kushtetutës të kryejë në pavarësi të plotë hetime të guximshme kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe çka dëshmon se epoka e paprekshmërisë po lëkundet’, tha ai.
Ai pohoi se asnjë ndikim i jashtëm nuk do arrijë të dobësojë forcën hetimore të SPAK në përmbushjen e detyrimeve të tij kushtetuese dhe ligjore.
“Në garantojmë se çdo lloj ndikimi i jashtëm nuk do cenojë dhe as dobësojë forcën tonë hetimore në përmbushje të detyrimeve tona kushtetuese, ligjore si dhe misionit përballë shoqërisë’, -pohoi Dumani.
Ai theksoi se besimi i SPAK është rritur ndjeshëm tek partnerët ndërkombëtarë.
“Besimi i partnerëve ndaj SPAK është rritur, kryesisht nga BE, SHBA, Britania e Madhe, Zvicra dhe vendet e Amerikës Latine. Dua t’i falënderoj të gjithë për besimin që kanë pasur ndaj nesh. Gjithashtu marrëdhënien me INTERPOL, EUROPOL dhe EUROJUST është forcuar.”, tha ai.