EMRI/ Vritet me armë zjarri shqiptari në Medelin të Kolumbisë

Një 44 vjeçar me origjinë shqiptare është vrarë në Medelin, Kolumbi ndërsa autoritetet kanë identifikuar dhe arrestuar autorin e ngjarjes.

Burime për mediat bëjnë me dije se viktima është identifikuar si Artur Tushi. Raportohet se autori i është afruar Tushit duke e pyetur për emrin dhe më pas e ka qëlluar për vdekje me armë zjarri.

Sekretari i Sigurisë së qytetit, Manuel Villa Mejía, njoftoi se viktima kishte dokumente ekuadoriane, por është me kombësi shqiptare.

Paraprakisht dyshohet se krimi ka ndodhur për larje hesapesh.

Ndërkohë si pasojë e të shtënave mbeti e plagosur edhe një grua, e cila u dërgua në spital, ndërsa nuk dihet nëse ishte e shoqëruar me viktimën në momentin që u qëllua.

Autori, një venezuelian, i cili lëvizte me motor, u arrestua në komunën Bello, në veri të luginës Aburrá. Motori dhe arma e zjarrit me të cilën dyshohet se u krye vrasja u sekuestruan.

Dëshmia e tij, pritet që të hedh dritë mbi motivet e krimit.