Policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar për vendosjen e lëndës plasëse në garazhin e shtetasit Elvis Kosovës, ngjarje e ndodhur më 24 korrik në rrugën “Peti”.
Autori është Klodian Steli, i cili dyshohet të jetë larguar jashtë vendit.
Sipas hetimeve, 36 vjeçari pasi ka vendosur tritolin, është përpjekur të humbasë gjurmët duke u futur në pyllin pranë Liqenit të Thatë, ku ka qëndruar për rreth 30 minuta dhe më pas ka dalë në një rrugicë tjetër për t’u larguar.
Ai ka shkuar drejt automjetit të tij dhe është larguar.
Policia ka arritur të identifikojë Stelin si autor të ngjarjes, për shkak të një makine me qera që ai kishte marrë në zonën e Fushë Krujës.
“Zbardhet autorësia e vendosjes së lëndës plasëse në garazhdin e shtetasit E. K., ndodhur më datë 24.07.2025. Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.
Gjendet dhe automjeti me të cilin ky shtetas lëvizi gjatë kryerjes së krimit.
Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 24.07.2025, në rrugën “Peti”, ku në portën hyrëse të garazhit të shtetasit E. K. u vendos një sasi lënde plasëse, kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin: K. S., 36 vjeç, banues në Fushë Krujë. Punohet intensivisht për lokalizimin dhe ndalimin e tij”, njoftoi sot policia.