EMRI/ Në kërkim nga Italia për organizatë kriminale e trafik droge, arrestohet 45 vjeçari

Një 45 vjeçar, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në lagjen “Vasil Shanto” me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Kol Bushpepa alias Sokol Bushpepa, rezulton i dënuar në Itali me 5 vite e 3 muaj burg për organizatë kriminale si dhe trafik droge.

Nga dënimi i kanë mbetur për të vuajtur 4 vite e 18 ditë burgim, njofton policia. 45 vjeçari pritet të ekstradohet drejt vendit fqinj për të shlyer pjesën e mbetur të dënimit.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 92”.

Kapet në lagjen “Vasil Shanto” dhe arrestohet, me qëllim ekstradimin në Itali, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për organizatë kriminale dhe trafikim narkotikësh.

Strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në informacionet operative, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin Kol Bushpepa alias S.B, 45 vjeç, banues në Rrëshen.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit, Itali, e ka dënuar me 5 vite, 3 muaj e 10 ditë, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Nga dënimi i kanë mbetur për të vuajtur 4 vite e 18 ditë burgim.

Vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi, në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë italiane.