EMRI/ Humbi jetën në tentativë për t’i shpëtuar policisë italiane, identifikohet 38 vjeçari shqiptar

Është identifikuar 38 vjeçari shqiptar, i cili ndërroi jetë mbrëmjen e së shtunës gjatë një ndjekjeje bë Nettuno të Italisë.

Viktima është Arbër Meçaj, i cili po lëvizte me shpejtësi me një “Fiat 500” së bashku me një tjetër automjet “Smart”, i drejtuar nga një italian 26-vjeçar. Të dyja makinat refuzuan të ndalonin për kontrolle policore, duke çuar në një ndjekje nga patrullat me civilë.

Në zonën Tre Cancelli, për shkak të rrugës së pjesshme dhe shpejtësisë së lartë, ai humbi kontrollin e makinës, e cila u përplas me një shtyllë druri dhe u përmbys. Përplasja rezultoi fatale për Mecajn, i cili humbi jetën në vend, pavarësisht përpjekjeve të urgjencës.

Ndërkohë gjatë kontrollit në mjetin e shqiptarit policia gjeti 23 pako që përmbanin 25 kilogramë kokainë. Italiani 26-vjeçar u arrestua dhe po hetohet për trafik droge në bashkëpunim.