Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë të premte në aksin “Shkodër-Lezhë” ku një 37 vjeçar ka humbur jetën si pasojë e përplasjes së tre mjeteve.
Sipas informacioneve nga policia,një kamion i drejtuar nga 42-vjeçari T.K. dyshohet se ka humbur kontrollin dhe është përplasur fillimisht me një automjet tjetër, për t’u përfshirë më pas në përplasje edhe me makinën që drejtohej nga 37-vjeçari Gjin Bzhangaj.
Ky i fundit ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve që kishte marrë. Ndërkohë bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij kanë mbetur të plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.
Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit të trefishtë.
Njoftimi i policisë:
Shkodër / Informacion paraprak
Rreth orës 14:50, në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë”, ka ndodhur një aksident rrugor ku janë përfshirë tre automjete.
Shtetasi T. K., 42 vjeç, duke drejtuar kamionin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti është përplasur fillimisht me automjetin me drejtues A. S., 63 vjeç, dhe më pas është përfshirë në aksident edhe automjeti me drejtues shtetasin Gj. B., 37 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër shtetasi Gj. B., ndërsa janë dëmtuar bashkëshortja e tij, shtetasja J. B., 32 vjeçe, dhe dy fëmijët e mitur, pasagjerë në të njëjtin automjet. Të dëmtuarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.