EMRAT/ Tragjike në Fushë-Prezë, humbin jetën 4 të rinj në aksident, u dogjën brenda mjetit

Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fushë-Prezë ku 4 të rinj kanë humbur jetën. Sipas burimeve nga policia makina me të cilën udhëtonin dy vëllezërit, Enejd Laçi, Erildi Laçi, Enrikejd Kurti dhe Andi Laçi është përplasur me një betoniere. Si pasojë e përplasjes fatale, makina me të cilin udhëtonin 4 të rinjtë u përfshi nga flakët, të cilët u dogjën brenda mjetit.

Ndërkohë drejtuesi i betonieres, u largua nga vendi i ngjarjes, por më pas ai i ndalua nga uniformat blu. Këto të fundit konstatuan rreth orës 23:50 në Fushë-Prezë, makinën e cila kishte marrë flakë.

Një nga arsyet se përse mjeti ka marrë flakë është se ai ishte me benzinë dhe gaz, ku nuk përjashtohet mundësia që mund të ketë pasur edhe shpërthim të bobmbulës së gazit. Ndërkohë ka nisur puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit tragjik.

Njoftimi i policisë:

Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në Fushë-Prezë, nga shërbimi i qarkullimit rrugor është konstatuar një automjet i cili kishte marrë flakë dhe para tij qëndronte një automjet betoniere.

Nga hetimet e kryera me qëllim zbardhjen e ngjarjes rezultoi se automjeti drejtohej nga shtetasi E. L., 25 vjeç dhe dyshohet se është përplasur me automjetin betoniere të drejtuar nga shtetasi A. K., 24 vjeç, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Si pasojë e përplasjes dhe përfshirjes së automjetit nga flakët kanë ndërruar jetë drejtuesi i automjetit E. L., 25 vjeç dhe 3 pasagjerët në mjetin e tij E. L., 20 vjeç, E. K., 24 vjeç dhe A. L., 22 vjeç.

Në vijim të veprimeve u shoqërua për veprime të mëtejshme drejtuesi i automjetit betoniere shtetasi A. K, 24 vjeç.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet me qëllimin dokumentimin e plotë të ngjarjes.