Policia ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Kodra e Diellit 3”, pas një hetimi 6 mujor për goditjen e një grupi kriminal që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë lëshuar 9 urdhra ndalimi, nga të cilët janë ekzekutuar 8 dhe 1 është shpallur në kërkim. Mësohet se në pranga kanë rënë Herald Rexhepaj, Viola Bendaj, Arolf Harizi, Arlind Aga, Xhersildo Arifllari, Dashamir Shehu, Devis Saliaj, Indrit Gjoshi, ndërsa në kërkim është shpallur K.R, 29 vjeç.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuara narkotike të llojit kokainë dhe kanabis, në sasi të mëdha, dhe më pas i shitnin ato në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në afërsi të lokaleve të natës dhe të vendeve që frekuentohen nga të rinjtë.
Në cilësinë e provës materiale, gjatë zhvillimit të gjithë operacionit janë sekuestruar 650 doza cannabis sativa, 150 doza lënde narkotike kokainë, 1 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, qindra qese farmaceutike që shërbejnë për paketimin e lëndëve narkotike, dy peshore elektronike, dhe 5 aparate celulare.