EMRAT/ Operacion kundër lojërave të fatit në Korçë, 10 të arrestuar

10 persona janë arrestuar në një operacion kundër lojërave të fatit në Korçë. Policia njofton se tre prej të arrestuarve janë pronarë lokalesh të cilët u kapën në flagrancë duke organizuar lojëra fati ndërsa 7 të tjerë, klientë.

Në prangat e policisë ranë, Klajdi Leka, Gjergji Panolli, Alfred Male, Leonard Muçollari, Elton Ryka, Elton Sovjani, Ermir Kanollari, Mateas Kanollari, Rudenc Mucollari, Agron Tushini.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 9 monitorë kompjuterash, 13 aparate celularë, tableta, si dhe një sasi parash

Njoftimi i policisë:

DVP Korçë/ Kontrolle masive në lokale dhe ambiente që dyshohej se përdoreshin për të ushtruar veprimtarinë e kundraligjshme të lojrave të fatit. 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Cazino”

Vihen në pranga  10 shtetas, (3 prej tyre pronarë lokalesh pasi u kapën në flagrancë në 3 lokale, duke organizuar lojëra fati, me kompjutera dhe me celularë dhe 7 të tjerë klientë duke luajtur lojëra fati).          

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale  9 monitorë kompjuterash, 13 aparate celularë, tableta, si dhe një sasi parash.

Specialistët e Sektorit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me  Specialistët për Hetimin Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Cazino”.

Në kuadër të operacionit masiv janë  evidentuar  dhe goditur 3 raste të lojërave të fatit nëpërmjet kompjuterave dhe aparateve celularë, ku është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

 -K. L., 21 vjeç, Gj. P., 36 vjeç, dhe A. M., 57 vjeç banues në Korçë dhe Mborje, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe ” Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”.
– L. M., E. R., E. S., E. K., M. K., R. M., dhe A. T., për veprën penale ” Organizimi i lotarive të palejuara”, të gjithë banues në Korçë.

Këta shtetas u kapën në flagrancë  gjatë operacionit duke organizuar dhe luajtur nëpërmjet makinaleve lojra fati dhe duke vënë baste sportive.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.