Detaje të reja kanë dalë në dritë nga kontrollet e ushtruara me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në kuadër të hetimeve që lidhen me zv.kryeministren Belinda Balluku dhe bashkëpunëtorët e saj.
Ndër personat të cilëve u janë kontrolluar banesat dhe ambientet e punës mësohet se janë:
Viola Haxhiademi, ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtoreshë e KESH-it
Gentian Gjyli, ish-drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, aktualisht i pandehur dhe në masën “arrest shtëpie”.
Erald Elezi, ish-drejtor i KESH-it, i pandehur dhe në arrest shtëpie
Sajmir Kuçi, Marsel Hoxha dhe Jonida Çeço, të lidhur me kompani ndërtimi përfituese të tenderëve publikë.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës u raportua se kontrolle janë ushtruar edhe ndaj biznesmenit Rrok Gjoka, i cili ka përfituar disa projekte infrastrukturore, si dhe ndaj Sindi Dushkut, drejtoreshë e kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është marrë në pyetje nga hetuesit.
Kontrolle janë bërë edhe ndaj biznesmenit Ilir Shtufit, pronar i “Nova Construction – 2012” shpk, një prej 3 operatorëve që fitoi tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe në Tiranë.
Mësohet gjithashtu se kontrollet janë kryer ekskluzivisht nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pa praninë e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Kujtojmë se Balluku u mor zyrtarisht e pandehur fillimisht për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera për tunelin e Llogarasë, e më pas nën hetim për të gjitha lotet e Unazës së Madhe në Tiranë.