E TURPSHME/ Mediat nuk solidarizohen me News 24

Të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare kanë ngritur alarmin se pjesa më e madhe e mediave në Shqipëri janë të kapura nga pushteti, por duhej të vinte dita e sotme që kjo të kuptohej edhe nga ata që nuk u kanë besuar kurrë këtyre raporteve.

Prej orës 07:00 të mëngjesit të sotëm, zyrat e mediave News24, Panorama dhe Gazeta Shqiptare janë bllokuar nga Policia, teksa është ndërprerë energjia elektrike me qëllim ndërprerjen e transmetimit të këtij televizioni.

Dhjetëra forca policie kanë zaptuar godinën, ndërkohë që gazetarët nuk janë lënë të futen në ambientet e punës së tyre, teksa ata që kanë qenë brenda janë nxjerrë me forcë nga efektivët.

Por, teksa dihet se gjithçka mund të pritet nga ky pushtet, që ka bllokuar deri më tani 2 televizione (Agon, Ora News), dhe News 24 mund të jetë i treti, ajo që e bën më të rëndë këtë është heshtja e mediave të tjera.

Asnjë prej mediave kombëtare nuk ka guxuar as ta raportojë si lajm, duke faktuar se ia kanë “shitur shpirtin shejtanit”. Dhjetëra gazetarë që raportojnë çdo ditë dhe asnjë prej tyre nuk është solidarizuar me kolegët.

Vetëm një pjesë e portaleve kanë reaguar dhe janë solidarizuar me kolegët e tyre, ndërsa të tjerët janë marrë me deklaratat e Ramës për denoncimin e objekteve pa leje, në një kohë kur në Shqipëri po riinstalohet diktatura.

Sot liria e medias nuk rrezikohet vetëm nga pushteti, por nga vetë media, që zgjedh të heshtë sipas interesit të saj, edhe kur në mes qëndron një interes më madhor, si liria e fjalës dhe e vetë medias.

Ndoshta, kur policia të shkojë në dyert e tyre do të kërkojnë solidarizim, por vështirë se do ta gjejnë, pasi siç thotë populli: Ç’do mbjellësh, do korrësh!

Media Ditari shpreh solidaritetin e plotë me gazetarët e News 24, Panoramës dhe Gazetës Shqiptare, pasi sulmi nuk është vetëm ndaj tyre, por ndaj lirisë së fjalës që në Shqipëri u mohua për shumë vite me radhë!