Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Ostren të Bulqizës, ku deputeti demokrat Xhelal Mziu dhe nipi i tij kanë dhunuar 33 vjeçarin Kalosh Murra.
Ngjarja ka ndodhur pas një takimi elektoral që Mziu kishte mbajtur në atë zonë, teksa i riu është goditur me grushta në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren.
Policia e Bulqizës i ka referuar materialet në SPAK, ku Xhelal Mziu dhe nipi i tij akuzohen për veprën penale Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Njoftimi i Policisë:
Bulqizë/Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasit Xh. M., 58 vjeç dhe E. M., 36 vjeç, xhaxha e nip, të dy banues në Tiranë, sepse rreth orës 13:00 të datës 24.04.2025, pas një takimi elektoral të zhvilluar nga subjekti politik “Partia Demokratike”, në fshatin Ostren, dyshohet se kanë goditur me grushte, shtetasin K. M., 33 vjeç, banues në Shupenzë, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren.