Një sherr me thika është regjistruar sot në një shkollë private në Sarandë. Policia njofton se ngjarja e rëndë u regjistrua në ambientet e një shkolle jopublike 9-vjeçare në lagjen nr.3, të Sarandës ku një nxënës 13 vjeçar, ka goditur me mjet prerës një të mitur, 15 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Konflikti mes dy të miturve ka ndodhur për motive të dobëta. Fillimisht sherri ka nisur me fjalë dhe më pas 13-vjeçari ka nxjerrë thiknë dhe ka qëlluar 15-vjeçarin në pjesën e qafës.
Autori është shoqëruar në polici, ndërsa po punohet për sqarimin e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Sarandë, paraprak/ Sot, rreth orës 10:00, në ambientet e një shkolle jopublike 9-vjeçare në lagjen nr.3, Sarandë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se një nxënës 13 vjeçar, ka goditur me mjet prerës një të mitur, 15 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Vijon puna për shoqërimin e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, si dhe për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të saj.