Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Gjirokastër ku një 12 vjeçare ka kallëzuar në polici se është abuzuar seksualisht nga njerku i saj.
Ky i fundit, Kelmend Kurse ndodhet në masën “arrest shtëpie”, pasi është në hetim për vrasjen e babait të të miturës, Artur Lleshi, ngjarje kjo e ndodhur në 2018-ën.
Sipas burimeve zyrtare, nëna dhe vajza ishin paraqitur edhe një ditë më parë në komisariat, por ishin tërhequr pa depozituar kallëzim. Pas denoncimit të bërë, policia ka nisur procedurat hetimore për rastin.
Mësohet se familja jetonte në kushte të vështira ekonomike. Nëna e të miturës nuk ishte e punësuar, ndërsa i dyshuari punonte në mënyrë të rastësishme.
“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin K. K., 38 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht vajzën 12 vjeçe të bashkëjetueses së tij. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”.