E rëndë ajo se çfarë po ndodh me deputeten Marjana Koçeku, pas largimit të saj nga Partia Socialiste.
Në një postim në rrjetet sociale, Koçeku pretendon se familja e saj është kërcënuar nga grupi “Bajri”. Ajo u drejtohet atyre dhe i paralajmëron se do t’i shkatërrojë nëse familjes së saj i preket sikur një fije floku.
“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetë”, shkruan Koçeku.
Kjo deklaratë e fortë vjen pas shumë sulmeve që deputetes iu bënë edhe nga kolegët e saj deputetë të Partisë Socialiste, të cilët i kërkojnë që të lërë mandatin, për shkak se e ka fituar falë PS-së.
Por, në një reagim ditën e djeshme, ajo e ka bërë të qartë se mandatin nuk do ta lërë, teksa i ka shpallur sfidë PS-së që të shkojë në zgjedhje të parakohshme për të matur forcat.