E PLOTË/ PUTIN – WAGNER, nga sulmi te tërheqja e mercenarëve, si u shmang gjakderdhja në Rusi

Një lajm i papritur shojkoi botën dje, pasi grupi i mercenarëve “Wagner”, i përbërë nga rreth 25 mijë ushtarë dhe i udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin, i shpalli luftë Moskës zyrtare dhe Presidentit rus Vladimir Putin, duke u nisur drejt kryeqytetit për t’u përballur me ushtrinë ruse.

Grupi që i shërbeu Rusisë deri dje në luftën në Ukrainë, fillimisht hyri në Rostov dhe e mori qytetin pa gjakderdhje, për të marshuar më pas drejt Moskës, teksa ushtria ruse mori masat për të mos i lejuar. Kërkesa e mercenarëve ishte e qartë, kërkonin takim me ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe gjeneralin Valery Gerasimov, teksa i akuzojnë këta të fundit për dështimin në luftën në Ukrainë, ku “Wagner” ka humbur më shumë se 25 mijë ushtarë.

E menjëhershme ishte përgjigja e Presidentit Putin, i cili kërcënoi mercenarët se do t’i burgoste për tradhti. “Ata që shkojnë qëllimisht në rrugën e tradhtisë, duke përgatitur një rebelim të armatosur kur ju po përgatitnit sulme terroriste, do të ndëshkohen. Çdo trazirë e brendshme është një kërcënim vdekjeprurës për shtetin tonë për ne si komb; është një goditje për Rusinë për popullin tonë dhe veprimet tona për të mbrojtur atdheun tonë. Një kërcënim i tillë do të përballet me një përgjigje të ashpër”, u shpreh Putin.

Në krah të Putin doli edhe lideri çeçen Ramzan Kadyrov, i cili kërcënoi se ushtira e tij do ta shtypte grupin mercenar nëse këta të fundit vijonin të sulmonin qytetet ruse. Ajo që po ndodh nuk është një ultimatum për Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo është një sfidë për shtetin, dhe kundër kësaj sfide është e nevojshme të mblidhemi rreth udhëheqësit kombëtar: ushtrisë, forcave të sigurisë, guvernatorëve dhe popullata civile… Rebelimi duhet të shtypet dhe nëse kjo kërkon masa të ashpra, atëherë jemi gati”, tha Kadyrov.

Pas disa orësh marshim në qytetet ruse, grupi “Wagner” u afruas dreri në 200 km nga Moska, duke shkaktuar frikë të madhe te populli dhe autoritetet ruse. Menjëherë pas lajmit se grupi i mercenarëve ishte afër Moskiës, në skenë doli Presidenti I Bjellorusisë, Lukashenko, i cili kërkoi të ishte njeriu që do të sillte paqen. Pas ndërhyrjes së Lukashenkos, grupi “Wagner” vendosi të tërhiqej dhe të shkonte në Bjellorusi, duke marrë edhe disa premtime nga Presidenti Putin.

Asnjë ushtar I këtij grupi nuk do të dënohej dhe secilit prej tyre do t’i garantohej liria dhe siguria.Gjithashtu, nuk do të ketë asnjë masë të marrë ndaj kreut të grupit, Prizhogin. Pavarësisht këtyre premtimeve, mediat raportojnë se “Wagner” i ka vendosur një kusht Presidentit Putin: shkarkimi i ministrit rus të mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Valery Gerasimov.

Në orët e fundit Moska i është rikthyer normalitetit, por çështja vështirë të mbyllet me kaq. Iniciativa e “Wagner” nxori në pah dobësinë e Putinit dhe ushtrisë ruse, ndaj kjo do të ndikojë jo vetëm në luftën në Ukrainë, por edhe në çështjet e brendshme të Rusisë.