E PLOTË/ Deklarata e babait të Luisit dhe përgënjeshtrimi i menjëhershëm i Policisë, a po tentohet të fshihet autori i dytë?

Vrasja me thikë e 14 vjeçarit Martin Cani pranë ambienteve të shkollës “Fan Noli”, ishte një ngjarje që tronditi gjithë Shqipërinë.

Por, kur kanë kaluar disa ditë nga tragjedia, ende nuk është zbardhur dinamika e plotë e plotë e ngjarjes, teksa dyshohet se në vrasje është i përfshirë edhe një person tjetër, i cili është denoncuar nga babai i Luisit, 14 vjeçarit tjetër që mbeti i plagosur.

Ai deklaroi se personi i dytë me thikën më të vogël që ka goditur Luisin pas shpine, është Kledjon Begaj. Sipas tij, ky i fundit është lënë i lirë nga policia dhe po mundohet të ikë nga Shqipëria bashkë me prindërit, ndaj ka kërkuar edhe arrestimin e tij të menjëhershëm.

Deklarata e babait të Luisit: Luisi për momentin është një fazë rikuperimi, por mbetet ende në intubacion. Luisi është goditur katër herë në trup, një gërvishtje ka marrë në dorën e majtë. Katër herë është goditur nga dy persona. Nuk është një autor vrasës, por janë dy autorë vrasës. Dua ta denoncoj para medias suaj, personi i dytë me thikën më të vogël që ka goditur Luisin pas shpine, është Kledjon Begaj.

Kërkoj arrestim të shpejtë, sepse kam marrë vesh se ka marrë prindërit dhe do të largohet nga Shqipëria, ose është larguar. Kjo është deklaratë zyrtare nga policia. Kledjon Begaj është lënë i lirë, por ai duhet të nxjerrë armën e krimit dhe të shkojë të dorëzohet vetë. Nëse nuk merren masa do të marrim ne në mënyrë private, siç e zgjidhën ata me fëmijët tanë.

Ka dëshmuar Luisi dhe e njeh djalin, ai është goditur edhe tek syri. Emri i djalit të dytë më bën përshtypje sepse nuk është qarkulluar në media. Djali i dytë ka pasur thikën më të vogël se ajo që ka dalë në internet dhe ka goditur djalin nga mbrapa.

Martinin ka tetë vite që e marr me djalin tim me makinë. I njoh se i kam edhe komshinj. Sherri ka ardhur për shkak të vëllait të Martinit, personi që e ka goditur me thikë e ka ofenduar e më pas Martini është ndjerë shumë keq dhe ka reaguar. Nuk ka të bëjë as me çështje vajzash, as TikTok as Snapchat.

Kur kanë ardhur djemtë i kanë pyetur ku ka lule, të njëjtën që ne e përdorim për personat që i çojnë në varreza. Unë po kthehesha nga puna kur e mora vesh. Më tha Martini vdiq. Ishte shokuese, isha shumë i lidhur me fëmijët. Miku im që pret ngushëllime, më tha s’kam më lot.

Por, pas deklaratës së tij, Policia nxitoi ta përgënjeshtroi, teksa në një njoftim për media tha se nuk ka patur një autor të dytë, teksa akuzoi edhe mediat se po dëmtojnë sekretin hetimor dhe po dezinformojnë opinionin publik.

Njoftimi i Policisë:

Policia e Shtetit vëren se burime të caktuara janë angazhuar në një fushatë mediatike dizinformimi, lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit nga një bashkëmoshatar i tij, në një distancë rreth 200 metra nga shkolla “Fan Noli” në Tiranë.

Policia e Shtetit disponon dëshmi të personave të përfshirë në konflikt dhe pamje filmike në afërsi të vendit të ngjarjes ku ka ndodhur tragjedia dhe në kushtet e ndalimit ligjor për publikimin e tyre, informon opinionin publik se nga hetimet e deritanishme nuk implikohet një autor i dytë i përfshirë në këtë ngjarje.

Për të ezauruar çdo pretendim dhe sqaruar çdo detaj në funksion të së vërtetës e të shërbimit deri në fund të drejtësisë, është marrë në pyetje nga grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit të çështjes dhe prindi i të miturit të dëmtuar L. M. në lidhje me pretendimet e tij të cilat do të vlerësohen në raport me të gjitha provat e faktet e tjera të administruara gjatë këtij hetimi.

Nga ana e Policisë Gjyqësore në drejtimin e prokurorisë po kryhen veprime intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe individualizimin e përgjegjësive penale të personave konkretë. Sipas Policisë së Shteti çdo keqpërdorim i tragjedisë së humbjes së një jete, nga ana e mediave, dëmton sekretin hetimor dhe dizinformon opinion publik.

Dyshimet për ngjarjen:

Por deklarata e menjëhershme e Policisë dhe akuzat ndaj mediave hidhen poshtë nga vetë Luisi, i cili foli nga spitali për Euronews Albania dhe konfirmoi deklaratat e të atit, se në vrasje ishte përfshirë edhe një person tjetër që e ka kapur nga mbrapa.

“Nga ai moment mbaj mend që shoku i Marjos, një djalë me flokë të gjata më goditi pas shpine. U ktheva, e godita. Kur u ktheva përsëri pash që Mario kishte nxjerr thikën dhe po godiste Martinin në zemër, shkova direkt për të mbrojtur Martinin. Më pas më kapi një burrë që nuk e pash kush ishte, më kapi dhe më ngriti në ajër. Kur u ktheva prapë pashë që Mario ishte ngritur dhe më drejtoi thikën për në zëmër.  Vura dorën përpara. Thika më preku vetëm pak zemrën.

Më pas ai kaloi thikën nga dora e majtë në të djathë dhe donte të më sulmonte në fyt. Unë ula kokën dhe e godita me dorën e vetë në ballë. Pastaj vazhdoi lufta. Ai më qëlloi 6 herë në pjesën e kraharorit, por 4 herë më kapi. Unë pash që thika e tij ishte më e madhe se dora ime dhe u tremba. Shkova dy hapa pas dhe e qëllova në fytyrë. Më rrethuan dy. Nga frika që kisha i qëllova aq fortë sa njërit ia përplasa kokën te hekuri. Marios. Atij tjetrit i kam qëlluar në sy dhe ia futa vrapit”,-tha Luisi.

Kjo nuk është hera e parë që Policia e Shtetit del me deklarata të tilla dhe më pas zbulohet se e vërteta është ndryshe, por nëse Prokuroria vërteton se ka patur persona të tjerë të përfshirë në ngjarje, atëherë drejtuesit më të lartë të Policisë së shtetit duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Nuk dihet ende përse Policia doli me deklaratë të menjëhershme dhe akuzoi mediat, teksa hidhen dyshime të forta nga familjarët e Luisit se po tentohet të fshihet ngjarja dhe të lihet i lirë bashkëautori i vrasjes së Martin Canit.

Janë disa pyetje që kërkojnë hetim dhe Policia e Shtetit duhet t’u përgjigjet:

– Kush ia dha thikën 14-vjeçarit?

-Kush e mori në makinë pas ngjarjes? (Ndërkohë që dy bashkëmoshatarët e tij, viktimat, u ndihmuan nga kalimtarët, autori u largua me një makinë private!)

-Kush ia bëri foton me dorën e përgjakur?

– Kush ishte në timonin e makinës që e çoi në spital privat?

– Kush është bashkëmoshatari me flokët e gjatë, për të cilin flet shoku i Martinit, Luisi?

-Po burri tjetër?

-Cili është roli i secilit person në këtë ngjarje?

 -Çfarë tregon ekspertiza për plagët e shkaktuara?

Kemi të bëjmë me një tragjedi të dyfishtë: Një familje që ka humbur birin e tyre dhe një tjetër familje që po përballet me shkatërrimin e jetës së djalit të tyre.

Hapi i parë drejt drejtësisë është transparenca e plotë dhe e vazhdueshme deri në vendosjen e drejtësisë dhe qetësimin e opinionit publik.

Sepse… PO! Ngjarje të tilla ndodhin kudo në botë, por përgjegjësit nuk ia hedhin dot.