E PLOTË/ Arben Ahmetaj në SPAK, akuzat mbi aferën e inceneratorëve dhe çfarë pritet të ndodhë me ish-ministrin

9 muaj pas nisjes së veprimeve hetimore dhe 5 muaj pas procedimit penal në emër të tij për katër vepra penale, Arben Ahmetaj mbërrin për herë të parë në Prokurorinë e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Bashkë me të mbërriti edhe avokati i tij Henrik Ligori, ç’ka nuk përjashton mundësinë e komunikimit të akuzave zyrtarisht pas marrjes në pyetje.

Por pavarësisht këtij opsioni, burim pranë SPAK konfirmojnë se Ahmetaj po pyetet në cilësinë e personit nën hetim. Arben Ahmetaj po hetohet nga SPAK për mos deklarim apo fshehje dhe deklarim i rremë i pasurive, korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë, pastrimi i parave dhe shpërdorimi i detyrës. Në prill të 2023 Gjykata e Posaçme e Apelit, ka refuzuar që të lirojë nga masa e sekuestros preventive një vilë në Hamallaj e një në Palasë, të cilat janë bllokuar për llogari të hetimit ndaj ish-zv/kryeministrit Ahmetaj. 

Pas dyshimeve për “fshehje të pasurisë”, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi nën sekuestro dy vila në bregdet, një në Palasë dhe një në Hamallaj. E Palasës është pjesë e një kompleksi rezidencial dhe dyshohet se zotërohet nga ish-bashkëshortja e ish-ministrit të Financave, Albina Mençka, por e poseduar me emrin e shoqes së kësaj të fundit Elda Dine. Vetë ish-bashkëshortja e zyrtarit të lartë ka mohuar të ketë lidhje me këtë objekt. Ndërsa vila në Hamallaj i përket Arjola Hoxhës, bashkëjetueses aktuale të ish-zv.kryeministrit, Ahmetaj.

Ambientet e të njëjtës vilë iu nënshtruan një kontrolli nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në 8 mars, kontrolle të cilat u konsideruan të paligjshme dhe antikushtetuese nga Ahmetaj, por që e njëjta gjykatë, me të njëjtën trupë gjykuese, refuzoi shqyrtimin e ankimit. SPAK ka dyshime se dy godinat janë krijuar në burime financiare të jashtëligjshme dhe masa e sekuestros është marrë për të mos lejuar tjetërsimin e pronave.

Ka qenë vetë Arben Ahmetaj që konfirmon akuzat në ankimin e bërë prej tij, lidhur me kundërshtimin e kontrollit të banesave nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në këtë ankim, theksohet njëherësh se procedimi panel nr 771/1 për akuzën e shpërdorimit të detyrës lidhur me inceneratorin e Elbasanit,  dhe ai nr 30 për pastrim parash dhe korrupsion, pas kallëzimit që i është bërë për vilën në Hammallaj, janë bashkuar në një të vetëm.

Ndërkohë, përveç kontrolleve dhe sekuestrimit të dokumentave që kanë të bëjnë me blerjen e pasurive apo ndërtimin e tyre, SPAK ka vijuar me marrjen në pyetje të disa personave.  SPAK ka analizuar veprimet e Ahmetajt për procedurën e koncesionit që është dhënë në kohën kur ai ka mbajtur detyrën e Ministrit të Financave. SPAK ka mbledhur prova e të dhëna, përfshirë edhe ato nga kompjuterat e sekuestruara dhe të e-maileve, që janë shkëmbyer mes Ahmetajt dhe fituesve të koncesionarit të inceneratorit të Elbasanit.

Verifikime janë bërë edhe në sistemin TIMS për të provuar lëvizjet e ish-ministrit, hyrje-daljet e tij dhe nëse përkojnë me periudhat kur dyshohet se ka frekuentuar hotele dhe pushime luksoze me fatura të paguara nga Klodian Zoto pronari i kompanisë koncesionare të inceneratorit të Elbasanit, apo udhëtimet që mund të ketë me këtë shtetas, si dhe dy biznesmenët e tjerë të shpallur në kërkim, Stela Gugallja e Mirel Mërtiri. Dosja për inceneratorin e Elbasanit është ndarë në dy fraksione teksa për çështjen e parë janë marrë të pandehur 11 persona. 

Fraksioni i dosjes ku bën pjesë Arben Ahmetaj është regjistruar shtatorin e kaluar ndërsa përveç tij, figurojnë edhe persona të tjerë që kanë patur rol në procedurat e koncesionit për inceneratorin e Elbasanit. Më 14 prill 2014, pasi firmosi procedurat për koncensionin e inceneratorëve në cilësinë e ministrit të Ekonomisë dhe më pas ka lëvruar fondet publike në cilësinë e ministrit të Financave, Zoto ka dyshime ti ketë paguar Ahmetajt shpenzimet e tij dhe të bashkëshortes. Dyshohet se ato kanë të bëjnë me mbulimin e udhëtimeve dhe akomodimin në hotele me 5 yje të Ahmetajt dhe bashkëshortes së tij i përkasin periudhës 2015-2016. Ahmetaj është nga personat e fundit që pyetet lidhur me hetimet ndaj tij, teksa SPAK është drejt përfundimit të hetimit dhe mbajtjes së një qëndrimi konkret.