E pandehura Belinda Balluku u kthye në detyrë, pastrimi i parave u ligjërua. A po shkojmë vërtet drejt Europës?

Në dy ditë, politika dhe drejtësia prodhuan dy vendime që tregojnë më shumë për situatën në Shqipëri se çdo raport progresi apo konferencë integrimi.

Njëra vjen nga Gjykata Kushtetuese, tjetra nga Kuvendi. Të dyja bashkë krijojnë një tablo shqetësuese për mënyrën se si pushteti e kupton shtetin e së drejtës dhe rrugën drejt Bashkimit Europian.

Kthimi në detyrë i Belinda Ballukut, e pandehur dhe e pezulluar nga Gjykata e Posaçme për korrupsion, pasi përgjimet tregojnë përfshirjen e saj në dy afera me vlerë 210 milionë euro, dhe miratimi i ligjit të ashtuquajtur “Paqe Fiskale”, i cilësuar si rrezik për pastrimin e parave, ishin dy vendime që nuk kanë të bëjnë aspak me interesin e Shqipërisë apo shqiptarëve.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të rikthyer në detyrë Belinda Ballukun prodhon një precedent të rrezikshëm, pasi tregon qartë se ligji funksionon vetëm për qytetarët e zakonshëm, ndërsa për pushtetarët jo.

Në çdo demokraci funksionale, sidomos në vende që synojnë anëtarësimin në BE, parimi i përgjegjshmërisë politike është po aq i rëndësishëm sa ai penal. Sigurisht, po flasim për vendet e tjera, se në Shqipëri, përgjegjshmëria politike ka humbur prej kohësh.

Një ministre nën hetim për korrupsion nuk rikthehet në detyrë përpara se të sqarojë pozicionin e saj përballë drejtësisë. Jo sepse është fajtore, pasi gjykata nuk e ka thënë ende fjalën e saj të fundit, por sepse institucioni duhet të mbrohet nga dyshimet dhe akuzat, për shkak se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës nuk është pronë private, si dhe drejtësia duhet të mbrohet nga ndikimi politik.

Vetëm një ditë para se Balluku të rikthehej në detyrë, Kuvendi miratoi ligjin e “Paqes Fiskale”, një nismë që synon faljen ose lehtësimin e detyrimeve tatimore të prapambetura. Në letër, kjo paraqitet si një instrument për të rritur të ardhurat dhe për të mbyllur kapituj të vjetër fiskalë, por në praktikë, mungesa e transparencës e kthen këtë ligj në një derë të hapur për legalizimin e parave të dyshimta.

Komisioni Europian, FMN dhe përfaqësues të biznesit ndërkombëtar kanë shprehur shqetësime serioze sa herë që në vendin tonë është tentuar të bëhet një Amnisti Fiskale. Shqipëria është një vend me histori problematike të pastrimit të parave, siç thuhet në çdo raport të BE apo SHBA, ndërkohë që amnistia fiskale rrit rrezikun që vendi ynë të bëhet një lavatriçe edhe më e madhe e parave të krimit dhe korrupsionit.

Qeveria dhe Edi Rama duhet të kuptojnë se standardet europiane nuk maten  me numrin e kapitujve të hapur, por me cilësinë e institucioneve, me barazinë para ligjit dhe me seriozitetin në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, ashtu siç e thoshte edhe progres raporti i dorëzuar pak javë më parë.

Pyetja që lind natyrshëm nuk është nëse këto vendime janë ligjërisht të mundshme, por nëse ato janë politikisht dhe moralisht të pranueshme për një vend që aspiron Europën.

Sepse Europa nuk ndërtohet me të pandehur në detyrë dhe me amnisti të dyshimta. Europa ndërtohet me përgjegjësi, me transparencë dhe me një shtet që i shërben qytetarit, jo pushtetit.

Dhe pikërisht këtu lind dilema themelore:

A po ecën Shqipëria drejt Europës, apo po institucionalizon largimin prej saj?