E djathta shqiptare është autoktone në truallin politik shqiptar

Nga Isa Bajrami

Po të takohesh me dikë të panjohur, veçanërisht në Tiranë, siç është zakon tek ne shqiptarët, menjëherë pyesim: “Nga jeni?”

Nëse përgjigja është: “Nga Tirana,” pyetja e radhës shpesh është: “Jeni ardhës apo autokton?”

Më pas, biseda vijon me temat e zakonshme. Nëse personi është i moshuar, zakonisht pyesim: “Me çfarë pune jeni marrë?” Ndërsa, nëse është më i ri në moshë, pyetja tipike është: “Ku punoni?” etj.

Pa kaluar shumë kohë në këto tema, biseda patjetër që kalon te politika. Dhe, disi me ndrojtje ose me takt, pyesim: “Cilit krah politik i përkisni?”

Nëse bindjet politike janë të njëjta midis të dy palëve, biseda shpesh zgjatet dhe bëhet më e këndshme.

Nga kjo skicë e një bisede tipike, pjesa që do të shkëputja për të vazhduar më tej këtë shkrim është pikërisht pyetja: “Jeni ardhës apo autokton?”

Kjo, për vetë faktin se, nocioni autokton njëkohësisht nënkupton edhe identitet. Për rrjedhojë, një njeri me identitet solid nënkupton që ka trashëgimini kulturore dhe di të ndërthur të rënë me të vjetrën. Gjithashtu, ka ndjesinë e sigurisë dhe është më i qëndrueshëm ndaj ndikimeve fluide të kohës. E kupton më qartë botën që e rrethon dhe e di cilit grup shoqëror i përket dhe e di cili është vendi i tij. 

Po ashtu, sikurse çdo individ ka një identitet, dhe brenda çdo shoqërie mund të ketë grupime me identitete të ndryshme, si: grupime me identite fetare, etnike, kulturore apo madje edhe grupime që mund të identifikohen nga të njëjta profesione. Dhe kjo është mëse e natyrshme për çdo shoqeri. Madje dhe vetë kombet kanë identitet e tyre, duke u dalluar me kombet e tjera, si nëpërmjet gjuhës, historisë, kulturës, traditave etj.

Ndërsa grupimet më të mëdhaja brenda një kombi, janë grupimet politike, sigurisht.

Te ky aspekt që sapo citova, do të doja të ndalesha edhe unë, duke bërë këtë ekspoze dhe më konkretisht, duke folur për formacionet politike në vendin tonë.

Në fakt, për parantezë, dua të theksoj se në këtë shkrim nuk është se do të paraqes diçka të panjohur më parë për ju, kur sot, nëpërmjet internetit, keni mundësi të mësoni shumë dhe të ndiqni në kohë reale zhvillime nga më të ndryshmet në mbarë botën. Megjithatë, për shkak të strukturës së këtij punimi dhe duke shprehur ndonjë mendim timin, unë thjesht po bëj një sintetizim të asaj që dimë. Ky shkrim ka më tepër funksionin e një platforme, mbi të cilën mund të kemi mundësinë të diskutojmë, pa qenë e rëndësishme nëse dakordohemi apo jo.

Pas këtij sqarimi, më lejoni të vazhdoj ndërtimin e kësaj platforme.

Dy lëvizjet politike më të medha në vendin tonë janë Partia socialiste dhe Partia Demokratike.

İdenteti historik i PS-së dihet nga të gjithë, ndaj nuk i’a vlen të ndalemi më shumë.

Ndërsa PD, edhe pse përfaqëson identitetin e djathtë në spektrin politik shqiptar, në të vërtetë në periudhen para komunizmit (1912-1944) e djathta shqiptare përfaqësohej nga Legaliteti dhe Balli Kombëtar ku figura qëndrore e kësaj periudhe ishte Ahmet Zogu. Mirëpo regjimi komunist eliminoi çdo opozitë politike, dhe shumë liderë të së djathtës u ekzekutuan, u burgosën ose u detyruan të emigrojnë. Kështu që këto lëvizjet e djathta vazhduan aktivitetin e tyre jashtë vendit.

Por siç e dimë, mbas shembjes së komunizmit, rolin e përfaqësimit të së djathtës e mori PD.

Po a ka përfaqësuar vërtet vlerat konservatore dhe a ka arritur realisht PD, të ndërtoj një identitet të qëndrueshëm dhe të konsoliduar të parimeve të së djathtës shqiptare?

E di që të gjithë do thoni se ka lënë shumë për të deshiruar. Sepse, tashmë ekziston një mendim i përgjithëshëm, dhe ndoshta i verifikuar se, gjatë formimit të këtij formacioni politik, që në krye të herës, iu bashkuan figura intelektuale të përfshira me nomenklaturën apo ish pjestarë të sigurimit të shtetit, duke e bërë të vështirë ndërtimin e një platforme të pastër ideologjike të djathtë.

Por, gjithësesi dhe kjo e ka një justifikim apo një shpjegim llogjik i cili qëndron kështu: PD, ngaqë nuk kishte personalite të gatëshme të përgatitura sepse komunizmi e kishte shkatërruar shtresën tradicionale të shoqërisë së atëhershme duke vrarë intelektualë dhe duke konfiskuar pasuritë e pronarëve të asaj kohë, të cilët ishin mbështetës të së djathtës, kjo e gjeti PD-në pa një bazë tradicionale sociale dhe ekonomike.

Po ashtu, shto këtu edhe teoritë që përfliten se PD u krijua nën direktivat e Byrosë Politike të atëhershme, që pushteti politik të ishte gjithmonë nën survejimin e tyre.

Por, edhe përtej të gjitha këtyre, sikur të mos mjaftonin veç këto, PD shpesh ka ndjekur një qasje pragmatike për të siguruar pushtetin, duke adaptuar politika që nuk përputheshin gjithmonë me vlerat tradicionale të djathta. Për shembull, ajo ka promovuar reforma populiste, shpesh në kundërshtim me parimet e ekonomisë së lirë apo decentralizimit.

Po duhet theksuar se, pavarësisht nga këto rrethana, ato pak të mira që janë bërë në Shqipëri gjatë këtyre 34 viteve, janë bërë vetëm gjatë qeverisjes së PD-së. Dhe kjo, falë zbatimit të politikave të djathta, edhe pse ato u zbatuan pjesërisht. Një nga investimet më të rëndësishme që mund të përmendim nga periudha e qeverisjes së PD-së është Rruga e Kombit. Ky investim, a nuk është një tregues konkret se nacionalizmi i vërtetë shqiptar ndjehet “autokton” vetëm në politikat e së djathtës tradicionale shqiptare?

Po sikur të aplikohen të plota politikat e djathta në Shqipëri, a do ishte në këtë gjendje vendi ynë sot?

Shqiptarët karakterizohen si shoqëri tradicionale në shumë aspekte.

Po ashtu, tipologjia e shqiptarit përshkruhet si një tipologji e individit të fortë dhe dinjitoz. Madje, shqiptari nuk e pranon me dëshirë imponimin, duke u shfaqur shpesh si një individ tipik i djathtë. Madje ai shpesh duket më konservator se aristokratët anglez, do thosha unë.

Mirëpo, periudha e errët e komunizmit shkatërroi strukturën sociale dhe ekonomike të Shqipërisë.

E majta radikale, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë botën, historikisht ka përfaqësuar shpesh të keqen e njerëzimit, duke prezantuar si fe bindjet e saj ideologjike.

A nuk kanë qenë gjithmonë utopistët e majtë në kundërshtim me natyrën e pastër të njerëzimit, duke u përpjekur ta ndryshojnë atë përmes dhunës revolucionare dhe duke shkaktuar për pasojë miliona viktima?

Ata nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë kërkuar një progres horizontal të pandalshëm, duke nënvlerësuar lartësimin sakral të njeriut.

A nuk janë të njëjtët si dje edhe sot, thjesht me një “ambalazh” të ri?

Dje ishin jakobinë, ndërsa sot kanë shtënë në dorë mafian ndërkombëtare.

A nuk janë të ngjashme lëvizjet e vitit 1968 me lëvizjet postmoderne “woke” të sotme?

Pra, përmbajtja nuk ka ndryshuar, veçse forma. Këta ende pretendojnë për barazi, pa marrë parasysh lirinë individuale të çdo njeriu.

Të majtët radikalë gjithmonë kanë qenë demagogë dhe asnjëherë nuk e dinë se çfarë kërkojnë.

Dhe ai që nuk e di çfarë kërkon, nuk mund ta vlerësojë të mirën që mund të gjejë.

Të majtët ekstrem pretendojnë për gjëra utopike, sepse janë të paaftë të administrojnë jetën konkrete të shoqërisë.

Për të fshehur këtë paaftësi, kapen pas kauzave periferike që nuk sjellin asnjë dobi për shoqërinë.

Ata polarizojnë dhe përçajnë shoqërinë, duke dalë kundër strukturave dhe normave tradicionale. Kështu, ata nuk kanë respekt për aksiomën: “Gjërat e mira shkatërrohen lehtësisht, por nuk krijohen lehtë.”

Shpikin ide për planifikimin shoqëror si “woke”, marksizëm kulturor apo lëvizje të tilla si Black Lives Matter, duke pretenduar se mbrojnë grupet e margjinalizuara. Për këtë arsye, promovojnë politika që gjoja mbrojnë të drejtat e abortit, luftojnë kundër diskriminimit racor, gjinor, etnik, fetar apo seksual dhe mbështesin masat kundër ndryshimeve klimatike.

Por përfaqësuesit e ekstremit të majtë tregohen hipokritë në çdo rast. Sepse janë pikërisht ata që shpien njerëzit në çdo lloj dekadence për arsye satanike apo ideologjike dhe më pas pretendojnë se i mbrojnë.

Si mund të jenë marksistët internacionalë mbrojtës të njerëzimit, kur në të vërtetë janë kundër natyrës së tij dhe relativizojnë çdo vlerë tradicionale që ka arritur njerzimi?

Të gjitha këto veprime i bëjnë për të krijuar sensacion dhe për të legjitimuar ekzistencën e tyre, pasi, në realitet, nuk kanë asgjë për t’i ofruar shoqërisë.

Por tani, njerëzimi ka një përvojë të pasur kulturore, që i mundëson të kuptojë dhe të reflektojë se cila rrymë filozofike apo politike ka ndikuar në dobi ose në dëm të tij.

Ndaj, falë Zotit, në rrafshin global, me fitoren e Trump, hovi i këtyre duket se ka rënë.

Por le të kthehemi te realiteti politik i vendit tonë dhe të merremi më nga afër me hallet tona.

Kështu që, e nisim duke pyetur:

A është e djathta shqiptare aq e fuqishme dhe e organizuar sa të përballojë këtë erozion vlerash që shkakton e majta ekstreme?

A është e konsoliduar e djathta shqiptare për të frenuar reprezaljet kundër sistemit të vlerave, të cilat po goditen në vendin tonë nga disa figura të qeverisë aktuale, të cilët kanë mbështetje nga lëvizjet okulte të ekstremit të majtë që përmendëm më lart?

Sepse, siç duket, kryeministri dhe njerëzit afër sektit të cilit i përkasin po ndjekin politika antikombëtare, duke krijuar një qeverisje autoritare, duke e shpopulluar vendin, duke e kriminalizuar dhe duke e çuar në skamje ekonomike.

Dhe të gjitha këto situata mundohet t’i kamuflojë me aparencën e veshjeve të tij snobiste, tipike për ekstremistët hipokritë të majtë.

Po ku i dhimbset vendi këtij njeriu kur, për identitet, ka monumentin e ushtarit me identitet të panjohur në Tiranë?

Gjatë viteve të fundit, e djathta shqiptare ka qenë e fragmentarizuar, për arsye që i dimë të gjithë.

Nëse Partia Demokratike është ende partia më e madhe e spektrit të djathtë dhe nëse dëshiron të vazhdojë të mbetet e tillë, atëherë duhet patjetër të definojë qartë identitetin e saj ideologjik dhe parimor. Por, përpara se të vazhdoj më tej, dua të sqaroj diçka: unë i referohem PD-së në këtë rast për faktin se është subjekti më i madh politik i së djathtës, dhe për lehtësi komunikimi i referohem asaj. Megjithatë, në të vërtetë, fjalën e kam për të gjithë entitet partiake dhe jo partiake të djathta. Sepse, unë ashtu sikur dua dhe vlerësoj çdo individ me bindje të djathta, po ashtu, çmoj dhe çdo subjekt politik të djathtë në Shqipëri.

Pra, mund ta mendoni kështu: duke përmendur PD-në, nënkuptoj sikur të jetë ekzistente një Konfederatë e Djathtë, megjithëse, në të vërtetë, – nga sa di – ka pasur një përpjekje të tillë si një platformë për bashkimin e të djathtës shqiptare, megjithatë nuk jam i sigurt nëse ky projekt është ende funksional.

Por, ajo që më shtyn më shumë të përqendrohem në aspektin e definimit të së djathtës në vendin tonë, është fakti se ka perceptime apo kritika se PD-ja nuk përfaqëson dhe nuk reflekton vlerat autentike të së djathtës konservatore.

Gjithashtu lakohet domosdoshmëria që e djathta në Shqipëri duhet të ketë një elitë bërthamë për të ndërtuar dhe promovuar vlerat e saja politike dhe shoqërore.

Ndaj, PD-ja apo partitë e tjera të djathta duhet të afrojnë rreth vetes individë me tradita dhe përgatitje të djathta, që parimet e së djathtës t’i transmetojnë te qytetarët e vendit tonë.

Nëse në vitet ’90 PD-ja kishte mungesë elite të djathtë, sot ka një numër të madh të rinjsh konservatorë që mishërojnë një përgjegjësi të lartë ndaj përkatësisë së tyre politike, por edhe ndaj vendit të tyre. Për këtë arsye, është e padrejtë që, kur PD-ja pretendon për primare dhe meritokraci, në studio televizive dalin figura që nuk i lidh asgjë me të djathtën, por që shfaqen si promotorë të saj.

Madje, deri më sot ka ndodhur që elitat e reja, të ardhura nga tradita konservatore, të mbeten në nivelin e dytë apo të tretë në hierarkinë drejtuese të PD-së.

Këta të rinj intelektualë dhe me integritet duhet të zënë vendin e tyre në të djathtën shqiptare, veçanërisht ata që vijnë nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë, sepse filozofia politike e djathtë e çmon shumë rolin e individit në shoqëri.

Dhe, nëse këta individë mënjanohen nga hierarkitë drejtuese, atëherë parimet shndërrohen në diçka abstrakte, dhe e djathta, nga një përfaqësuese autoktone e vlerave të kombit tonë, mund të humbasë edhe zgjedhjet në qytetet bastione të PD-së.

Po kjo s’do të thotë që partitë e djathta të mos jenë parti të hapura për prurje jashtë saj, por figurat e reja që dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj tradite, nuk duhet të vijnë me një mision të dyfishtë. Ato duhet të bëhen pjesë vetëm pasi të jenë të bindura, pas një studimi të pavarur dhe relativisht të gjatë, se filozofia politike e djathtë është e duhura për drejtimin e shoqërisë sonë.

Nëse ndodh kështu, atëherë vetëkuptohet se e djathta është e sinqertë me pasuesit e saj dhe me shoqërinë shqiptare.

Po ashtu, gjatë ripozicionimit të saj ideologjik, e djathta shqiptare nuk duhet të sillet pragmatiste për të arritur pushtetin, duke përvetësuar politika jo tradicionale të djathta apo duke bërë koalicione fluide me parti të majta. Gjithashtu, ajo nuk duhet të mbetet vetëm te retorika antikomuniste — e cila, sigurisht, përbën thelbin e saj — por duhet të proklamojë më qartë parimet e së djathtës.

Pra, riorganizimi i së djathtës me elita me kulturë konservatore dhe definimi ideologjik i saj është i rëndësishëm, sepse njerëzit duhet të dinë jo vetëm se çfarë përfaqëson konservatorizmi, por edhe se si idetë e djathta influencojnë në jetën e tyre.

Një shembull si taksa e sheshtë është shumë i vlefshëm për të ilustruar diferencat midis ideologjive të djathta dhe të majta.

Nëse gjatë këtyre viteve të demokracisë, PD do t’i kishte shpjeguar popullit shqiptar çfarë është filozofia politike e djathtë, a do të mund të vinte e majta sërish në pushtet? Unë them që jo.

Gjithashtu, sipas mendimit tim, elektorati nuk duhet ta shohë alternativën politike të djathtë thjesht si anti-alternativën elektorale të radhës ndaj PS-së në fushata zgjedhore, por duhet ta perceptojë si formacionin politik më autokton në truallin e politikës shqiptare.

Sepse, kudo në botë, por edhe në vendin tonë, e djathta mbështet intrinsikun e natyrshëm njerëzor: vlerat konservatore. Ajo e pranon ndryshimin dhe zhvillimin, por jo atë radikal, duke preferuar një transformim gradual që ndërthur harmonishëm të renë me të vjetrën. Pra, konservatorizmi është i matur dhe nuk premton shpresa boshe utopike. Për rrjedhojë, ai mbron hierarkinë shoqërore, shmang kaosin dhe promovon rendin.

E djathta ka të shenjta besimin në Zot, familjen, pronën, lirinë individuale dhe vlerat tradicionale. Ajo respekton traditën dhe trashëgiminë, duke i çuar përpara në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ndryshe nga e majta ekstreme, e cila kreu krime monstruoze në Shqipëri dhe ende nuk ka kërkuar qoftë edhe një falje për to, prandaj nuk e kuptoj, si mund të pretendojnë ata se janë për paqe sociale në shoqërinë tonë?

Megjithatë, ne nuk kërkojmë falje nga ata, por duam drejtësi. Sepse drejtësia është termi qendror për ne.

Nuk mendoj se po e teproj kur po e sjell përsëri në vëmendje mendimin se PD-ja duhet të bëjë të qartë definimin ideor të saj. Pra, PD-ja duhet të vendosë se çfarë është dhe çfarë nuk është.

Pse e mendoj kaq të rëndësishëm këtë aspekt, po e shpjegoj si vijon:

Përcaktimi i kufijve territorialë dhe përvetësimi i disa simbolikave identifikuese të shtetit të një kombi, i krijon atij mëvetësinë dhe dallimin nga kombet e tjera. Duke ndodhur kështu, atëherë është e qartë dhe fushëveprimi i një shteti, dhe për pasojë është i lirë të krijojë të mira sa më të favorshme për popullin e tij dhe t’i mbrojë ato. Gjithashtu, edhe populli në këtë rast ndihet më i sigurtë.

Pra, i njëjti është dhe shembulli me një parti politike. Sepse një subjekt politik, duke pasur një përkufizim të qartë ideologjik, ka më të lehtë të përcaktojë fushëveprimin dhe pasuesit e saj ndihen më të bindur dhe më të sigurtë se pse duhet të jenë pjesë e saj.

PD-ja, apo partitë e tjera të djathta mund të bëjnë manovra në bazë të zhvillimeve politike të ditës, por në perspektivë më afatgjatë, ato duhet të përdorin terma dhe nocione rreth të cilëve vërtiten parimet dhe vlerat e së djathtës. Pra, zhvillimet e politikës së ditës duhet t’i racionalizojnë rreth botëkuptimit të djathtës konservatore.

Them “duhet t’i racionalizojnë” sepse një shoqëri, apo një grup shoqëror, apo qoftë edhe një komb, mund të formohet me mite apo me folklorizma, por vazhdimësia e tij garantohet nga sisteme racionale. Një njeri mund të besojë përralla deri në moshën 20 vjeçare, mirëpo pas kësaj moshe kërkon ta kuptojë botën me koncepte filozofike. Kështu që, ashtu siç është formuar nocioni social “tirons autokton”, ashtu duhet të formohen nocione politike, sa abstrakte dhe të prekshme, edhe nga drejtuesit e së djathtës shqiptare.

Parë në këtë kontekst, si në të shkuarën ashtu edhe tani, figura të ndryshme të së djathtës tradicionale shqiptare, qoftë në shërbim të kësaj filozofie politike apo edhe në shërbim të vendit, kanë dhënë një kontribut të madh.

Për shembull, referuar së shkuarës, vlen të përmenden figura të tilla si Ahmet Zogu dhe Mit’hat Frashëri.

Kontributi i Ahmet Zogut konsiston në rolin vendimtar që ai pati në konsolidimin e shtetit shqiptar, duke vendosur stabilitet administrativ.

Ndërsa Mit’hat Frashëri kontribuoi në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar, kulturës dhe gjuhës shqipe.

Në kohën e sotme, përveç shumë të tjerëve, mund të përmendim Uran Butkën dhe politikanin Agron Shehaj. Uran Butka, si historian, publicist dhe studiues, nëpërmjet studimeve dhe hulumtimeve të tij ka ndihmuar në zbardhjen e historisë së Shqipërisë gjatë periudhës komuniste dhe promovimin e vlerave të së djathtës. Po ashtu, ai ka dhënë një kontribut thelbësor me studimet e tij rreth figurave historike si Abaz Ermenji dhe Mit’hat Frashëri, personalitete që janë ndër më të rëndësishmit në historikun e së djathtës shqiptare.

Gjithashtu, s’mund të mohohet kontributi i z. Agron Shehaj, i cili, në bashkëpunim me z. Butka ka dhënë ndihmesën e tij në formimin e Institutit “Lumo Skëndo.” Gjithashtu, nuk duhet harruar inicimi i tij në krijimin e portalit kujto.al, që kontribuon në ruajtjen e kujtesës së ish-të përndjekurve politik të Shqipërisë.

Pra, e djathta shqiptare ka një trashëgimi të jashtëzakonshme nga e kaluara e saj. Mirëpo, e kaluara është një gjë, dhe historia është diçka tjetër.

Historia është vetëdija e së shkuarës. Por sa e vërtetë është shkruar kjo histori në lidhje me të djathtën tradicionale shqiptare?

Apo e gjithë kjo histori e lavdishme është manipuluar nga periudha komuniste?

Komunistët e kanë manipuluar atë histori, ashtu siç manipulojnë sot pasardhësit e tyre zgjedhjet në Shqipëri.

Por tashmë shoqëria shqiptare nuk duhet të sillet me emocione, por me arsye racionale, duke pasur parasysh përvojën 100-vjeçare të shtetit shqiptar. Ajo duhet të ketë aftësinë për të bërë ndarjen se cila filozofi politike e ka dashur këtë vend dhe cila ka qenë kundër zhvillimit të tij.

Besoj se ky qartësim do të jetë më i lehtë, sepse edhe nëse përçarja e të djathtës shihet si disfavor për të, prapë ka një të mirë. Duke u formuar parti të reja të djathta si Partia MUNDËSIA apo lëvizja “Djathtas 1912”, mundësia për t’i përçuar shoqërisë vlerat konservatore do të jetë më e madhe.

Mirëpo, këtë herë të djathtët nuk duhet të bëjnë gabimin që bënë në vitet ’90, duke ofruar dhe duke i besuar si të djathtë njerëzve të ardhur nga byroja politike. Por ata duhet të kenë një përkufizim të qartë ideologjik, dhe njëkohësisht drejtuesit e saj duhet të jenë njerëz që vijnë nga tabani i djathtë.

Veç kështu mund të ndodhë dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare dhe vendi ynë t’i bashkohet botës së sotme bashkëkohore, ku konservatorizmi po fiton terren politik kudo në botë.

Përveç kësaj, elitat e djathta duhet të iniciojnë përkthimet dhe botimet e autorëve të liberalizmit klasik dhe të mendimtarëve të sotëm, si veprat e Edmund Burke, Friedrich Hayek, Jordan Peterson, Carl Schmitt, Roger Scruton, Rene Guenon etj.

Njeriu është një krijesë që arsyeton në formë të një pas njëshme (step by step). Ndaj, nëse puna bëhet siç duhet, shqiptarët do të kthehen sërish te identiteti i tyre.